Lajme

Kushti i Konjufcës për tërheqje – “nëse ka marrëveshje për një kandidat jopartiak”

Më pak se dy javë iu kanë mbetur partive politike për të zgjedhë presidentin e ri të Kosovës.

E diskutimet për pozitën më të lartë shtetërore po vazhdojnë.

Për këtë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten tha se janë në komunikim me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Jemi në komunikim, kur të kemi rezultate do t’ua komunikojmë”, tha Kurti.

Pas Kurtit, për këtë çështje foli edhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për këtë post, Glauk Konjufca.

Ai tha se është i gatshëm të tërhiqet nga kjo kandidaturë nëse ka marrëveshje për një kandidat jo partiak.

“Po tash, në anën tjetër është jo-partiak. Marrëveshja politike për president partiak deri tash nuk është hapur si opsion. Deri tash është diskutuar për president jo-partiak.Nëse është jo-partiak, unë jap dorëheqje prej kandidaturës. Kush jam unë me mbyllë rrugë. Është shumë e rëndësishme me ia dhënë Kosovës një president dhe me i hapë këto rrugë. Presidenti jo-partiak nënkupton që të gjitha subjektet ulen dhe e gjejnë një person”, u shpreh ai.

Por, Konjufca tha se diskutimet nuk janë në emra, pasi partitë opozitare nuk kanë propozime ende.

“Jo, nuk e di, nuk kemi folë në këtë dimension. Lëvizja Vetëvendosje ka shkuar me propozimin e vet, megjithëse një propozim që e lypshin edhe për me qenë kryeparlamentar. Tash nuk e di pse s’po u pëlqen mos me qenë president se e lypshin me qenë edhe kryeparlamentar”, u shpreh Konjufca.

Sipas aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, partitë politike kanë kohë deri më 28 prill për zgjedhjen e presidentit të ri.

 

Të Ngjashme