Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar Rezolutën për avancimin e përkujdesjes institucionale ndaj komunitetit shqiptar në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, duke synuar forcimin e mbështetjes në përputhje me standardet evropiane.
Propozim-rezoluta, e iniciuar nga gjashtë deputetë përfaqësues të grupeve parlamentare nga LVV, PDK, LDK dhe AAK, u votua si një akt i rëndësishëm politik dhe institucional për të adresuar nevojat dhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët në këto komuna.
Iniciatori i Rezolutës për avancimin e përkujdesjes institucionale ndaj shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, veprimtari nga Bujanoci, Refik Hasani, ka deklaruar se ky dokument synon vendosjen e reciprocitetit në të drejta me serbët në Kosovë, duke e parë atë edhe si një element që mund të ndikojë në dialogun me Serbinë.

Refik Hasani
“Të premten, Kuvendi i Republikës së Kosovës, për avancimin e përkujdesjes institucionale, miratoi një Rezolutë për shqiptarët Autokton, që jetojnë në trojet e veta në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Kosova me këtë Rezolutë, në raport me Serbinë, do të ia lehtësojë në bisedimet që do të zhvillohen, dhe është një Reciprocite, që do të duhej të vlejë ku të gjithë të drejtat individuale dhe kolektive që i gëzojn pakica Serbe në Kosovë, do të duhej së paku që të njëjtat të drejta t’i gëzojnë edhe shqiptarët etnik në Preshevë, Medvegj dhe Bujanoc”, ka thënë ai.
Gjithashtu, Hasani deklaroi se rezoluta e propozuar prej tij dhe e adresuar tek krerët institucionalë është mbështetur plotësisht nga subjektet politike.
Ai e ka cilësuar miratimin si një hap të rëndësishëm që dëshmon përkushtimin e Kosovës për të vazhduar mbështetjen dhe investimet për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
“Kjo rezolutë, me propozimin e paraqitur disa ditë më parë, me arsyetimin e bazuar, e adresuar Kryeminstrit Albin Kurti, Kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, dhe Arbërie Nagavci, Shefe e Grupit të LVV, si Grupi më i madh Parlamentar në këtë Legjislatur.
Më vjen mirë që propozimi i adresuar është përkrahur plotësisht, edhe nga subjektet tjera të kësaj Legjislature.
Si propozues, dhe si pjesëmarrës në seancën e rregulltë, në pikën që është diskutuar dhe miratuar kjo Rezolutë, vlen të përshendetët.
Miratimi tregon dhe paraqet një akt se Republika e Kosovës, edhe më tej do të vazhdon të afroj mbështetje, angazhim e përkushtim duke investuar në projekte tjera për shqiptarët e kësaj Krahine”, ka shpjeguar Hasani.
