Kuvendi i Kosovës ka miratuar dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) jashtë vendit, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza.
Vendimi u miratua me 89 vota për, pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim, duke siguruar shumicën e nevojshme prej dy të tretave për miratimin e tij.
Deputetët e Kuvendit i dhanë kështu dritën jeshile propozimit të Qeverisë për përfshirjen e pjesëtarëve të FSK-së në këtë mision ndërkombëtar, që synon stabilizimin e situatës në Gaza.
Për të hyrë në fuqi, vendimi pritet të nënshkruhet nga ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka theksuar se pjesëmarrja në misione të tilla ndërkombëtare forcon besimin e aleatëve ndaj Kosovës.
“Dërgimi i FSK-së në këtë mision përfshin pjesëmarrjen e personelit të FSK-së në kuadër të komandës së unifikuar të forcës ndërkombëtare stabilizuese, e cila për mision ka të mbështesë zbatimin e planit gjithëpërfshirës për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza, gjithnjë duke u bazuar në mandatin e forcës ndërkombëtare stabilizuese.Përmes këtij angazhimi, Kosova dëshmon që është partner i besueshëm, i përgjegjshëm dhe i gatshëm të veprojë krah aleatëve në mbështetje të paqes, sigurisë, mbrojtjes ë civileve dhe mandateve ndërkombëtare”, deklaroi ai.
Kuvendi shqyrton dërgimin e FSK-së në Gaza, Maqedonci bën thirrje për votim pro
