Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të themelojë çmimin Eliot Engel, si dhe të vendosë një memorial përkujtimor në ambientet e legjislativit në shenjë nderimi për kongresmenin amerikan.
Në seancën përkujtimore të Kuvendit për kongresmenin amerikan, Eliot Engel, shefi i deputetëve të AAK-së tha se Engel ishte një përkrahës i palëkundur i Kosovës në procesin e lirisë, shtetndërtimit dhe pavarësisë.
“Ky është më shumë se një moment kujtese, është një shprehje e qartë e mirënjohjes sonë si shtet, Kuvend, për një njeri që qëndroi me popullin e Kosovës në kohën më të vështira dhe kohët më vendimtare të historisë sonë… Që nga vitet e represionit, ai ishte ndër zërat më të fuqishëm në Kongresin e SHBA-së, duke ngritur vazhdimisht çështjen e të drejtave të shqiptarëve. Ai mbështeti fuqishëm lirinë. Ai mbështeti fuqishëm ndërhyrjen e NATO-s, duke kontribuar në ndaljen e tragjedisë dhe hapjen e rrugës sonë drejt lirisë. Pas luftës, ai ishte përkrahës i palëkundur i Kosovës në procesin e pavarësisë, shtetndërtimit si dhe afirmimit të saj ndërkombëtar dhe marrjen e shumë njohjeve. Ai nuk ishte vetëm një aleat politik, por edhe një mik i madh i shqiptarëve”, tha ai.
Tahiri partia e të cilit ishte iniciuese e kësaj seance, kërkoi që Kuvendi të themelojë çmimin Eliot Engel që t’u ndahet miqve dhe personaliteteve që kanë dhënë kontribut në forcimin e partneritetit Kosovë–SHBA.
“Prej sot presim që Kuvendi të themelojë çmimin Eliot Engel, i cili do t’u ndahet miqve amerikanë dhe personaliteteve apo institucioneve që kanë dhënë kontribut të veçantë në mbështetje të Kosovës, në forcimin e partneritetit me SHBA-në… Presim nga Kuvendi i Kosovës që të vendoset një memorial përkujtimor në ambientet e Kuvendit dhe të jetë aty gjithmonë si shenjë e përhershme e kujtesës dhe mirënjohjes sonë institucionale për miqtë e Kosovës”, theksoi ai.
Engel ndërroi jetë ditë më parë. Ai ishte një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës. Mbështetja e tij e palëkundur për Kosovën gjatë dekadave e ka bërë atë një personazh të famshëm në Kosovë.
Kosova ka emëruar një rrugë dhe një autostradë në nder të Engelit dhe madje ka lëshuar një pullë me imazhin e tij.
