Duhet të udhëtoni përsëri për arsye pune ose pushimesh, pak rëndësi ka motivi! Fustani i ri është gati për t’u futur në valixhe, aksesorët, këpucët që i keni fiksim dhe shumë gjëra të tjera të nevojshme për udhëtimin e radhës. E kontrolluat listën? Gjithçka gati?
Uh, po keni harruar shampon e flokëve që nuk e ndërroni për asnjë arsye, balsamin, locionin e fytyrës, parfumin dhe shumë shishe të tjera me lëngje për kujdesin për lëkurën, trupin dhe flokët.
Në të njëjtën valixhe ku keni vendosur thuajse gjithë garderobën tuaj, ka vend edhe për këto lëngje, por frika juaj? Mos derdhen rrugës, nga udhëtimi, tronditjet e makinës, avioni, çdo gjë tjetër mund të ndikojë dhe të “djallosë” komplet veshjet, këpucët dhe aksesorët.
Ja një truk i lehtë shpëtimi nga përdoruesja e TikTok, Vicky Gilchrist, e cila e ka publikuar videon në rrjete sociale. Gjithçka ju duhen janë disa tullumbace. Merrini një nga tullumbacet, pritini me gërshërë pjesën ku fryhen dhe vendosini në kapakët e shisheve me lëngje.
Kjo metodë praktike dhe efektive nuk lejon derdhjen e lëngjeve nga shishet dhe parandalon kësisoj edhe një rrëmujë të mundshme në valixhen tuaj!