Lajme

Lajm i fundit/ Anuela Ristani largohet nga Bashkia e Tiranës!

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, ka njoftuar përfundimisht largimin e saj nga detyra përmes një postimi në rrjetet sociale.

Ky vendim vjen vetëm pak ditë pasi Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, vendosi nga qelia të tërheqë delegimin e kompetencave për drejtimin e institucionit, të cilat ia kishte kaluar asaj në shkurt të vitit 2025.

Përmes një mesazhi publik, Ristani shprehu mirënjohjen për përvojën 11-vjeçare në menaxhimin e kryeqytetit, duke nëvizuar transformimin e Tiranës gjatë kësaj dekade dhe duke u larguar, siç u shpreh ajo, “me krenari, përulësi dhe plot dashuri për qytetin”.

“Qyteti për të cilin fillova të punoj 11 vite më parë, kur kaloja distancën e shkurtër, por të gjatë të sheshit “Skënderbej“, që vetëm shesh nuk mund të quhej, është sot pikë takimi për vizitorë nga e gjithë bota, që nuk dinë t’i vënë tamam një emër joshjes që ndjejnë, pasi pika më e fortë e Tiranës është ndjesia e mirë që të jep. Koha është gjykatësi më i drejtë, më i paanshëm dhe më i pakapshëm. Në respekt të kohës, asaj që do të vijë, lipset që qytetin ta shohim pak më tonin e ta duam për atë që jemi, jo për atë që mund të na bëjë. Dhe sa për mua, unë do të mbetem gjithmonë “xhomllikse” edhe pse kam lindur në Tiranë të Re dhe jam rritur përtej oqeanit. Largohem sot me mbështetjen dhe dashurinë e atyre që për mua kanë më shumë rëndësi. Faleminderit të gjithëve!”, ka shkruar Ristani.

Shfuqizimi i urdhrit nga Veliaj

Largimi i saj pasoi revokimin e urdhrit nr. 366 (datë 14.02.2025) nga ana e Erion Veliajt.

Delegimi i mëparshëm i kompetencave drejtuese ishte ndërmarrë si një masë e përkohshme për të garantuar vijueshmërinë e punës administrative në Bashkinë e Tiranës, gjatë periudhës kur kryebashkiaku gjendej i arrestuar.

Sipas urdhrit të ri të firmosur nga Veliaj, vendimi për shfuqizimin e delegimit hyn në fuqi menjëherë, duke i hequr zyrtarisht Ristanit të gjitha kompetencat e kryetarit të bashkisë dhe duke ngarkuar strukturat përkatëse administrative për zbatimin e këtij akti.

Të Ngjashme