LifeStyle

Largim i papritur në ‘Ferma VIP 3’/ Ermiona Lekbello ndërpret rrugëtimin

Një moment i pazakontë ka shënuar nisjen e spektaklit të kësaj të premteje në Ferma VIP 3, ku Ermiona Lekbello ka njoftuar largimin e saj të menjëhershëm nga gara.

Gjatë lidhjes së drejtpërdrejtë me fermerët, moderatorja Arbana Osmani u përball me një kërkesë të papritur nga konkurrentja, e cila deklaroi se nuk ndihej mirë në ambientin e shtëpisë dhe se energjia mes banorëve nuk ishte e përshtatshme për të.

“Unë po e lë rrugëtimin tim këtu. Ju përshëndes të gjithëve dhe shpresoj të bëheni njerëz më të mirë me njëri-tjetrin. Kam një energji jo të mirë këtu. Nuk mundem dot të rri më në këtë ambient. Këtu ndodhin gjëra që unë nuk i mbaj dot”, u shpreh ajo.

E pyetur për arsyet konkrete të këtij vendimi, Lekbello përmendi një sërë faktorësh që, sipas saj, e kishin ngarkuar emocionalisht, duke përfshirë ngacmimet, sharjet dhe sjelljet mospërfillëse nga banorët e tjerë.

Megjithatë, duke qenë se ajo ishte në televotim, Arbana Osmani i kërkoi të priste vendimin e publikut në shenjë respekti për votuesit.

“Televotimi është mbyllur dhe në respekt të publikut do të kërkoja të presim vendimin e tyre”, u shpreh moderatorja.

Lekbello pranoi këtë kërkesë, duke theksuar se hyrja e saj në Ferma VIP 3 kishte qenë pikërisht për publikun.

“Në rregull. Vetëm për publikun u futa këtu”, përfundoi ajo.

Largimi i saj pritet të ndikojë në dinamikat e lojës, ndërsa mbetet për t’u parë reagimi i banorëve dhe zhvillimet e mëtejshme në spektakël.

Të Ngjashme