Lajme

Lubia e kredive me interesa “peshkaqenësh”, IUTE shqetësohet nga lajmet mbi zhvatjen që u bëhet hallexhinjve

Iute e konsideron rritjen e mbulimit negativ në media dhe perceptimin publik ndaj kredive afatshkurtra si një rrezik që mund të ndikojë drejtpërdrejt te kërkesa për produktet e saj, reputacioni dhe rezultatet financiare.

Shqetësimi është përfshirë në prospektin e listimit të obligacionit prej 140 milionë eurosh të emetuar nga grupi në qershor të këtij viti. Në dokumentin drejtuar investitorëve, Iute e klasifikon këtë rrezik në nivelin “Medium”, ndërsa një kapitull i posaçëm titullohet: “Perceptimi negativ publik për biznesin tonë mund të shkaktojë një rënie të ndjeshme të kërkesës për produktet tona”.

“Në vitet e fundit ka pasur një rritje të mbulimit negativ mediatik lidhur me kreditë afatshkurtra dhe kreditë me pagesë të vetme të llojit që ne ofrojmë”, thuhet në prospekt.

Kompania pranon se tarifat dhe interesat që aplikohen prej saj dhe operatorëve të tjerë të industrisë tërheqin vëmendjen e mediave dhe mund të perceptohen si të diskutueshme. Sipas Iute, një karakterizim negativ i kredive të këtij lloji dhe praktikave të huadhënies mund të nxisë edhe ndërhyrje më të ashpra ligjore apo rregullatore.

Në dokument theksohet se grupe për mbrojtjen e konsumatorëve, politikanë dhe zyrtarë publikë në disa prej vendeve ku Iute operon kanë mbështetur masa për vendosjen e kufizimeve më të forta ndaj huadhënësve të kredive afatshkurtra.

Iute paralajmëron investitorët se masa të tilla mund të kenë një “efekt negativ material” mbi biznesin, gjendjen financiare, rezultatet operative, perspektivën dhe flukset monetare të kompanisë.

Grupi argumenton se në disa tregje kreditimi konsumatore u shërben kryesisht klientëve që kanë akses të kufizuar ose aspak në sistemin tradicional bankar, për shkak të kritereve më të rrepta të bankave.

Por në prospekt pranohet gjithashtu se reputacioni i sektorit mund të dëmtohet nga praktika të padrejta, shkelje rregullatore apo skandale që lidhen edhe me kompani të tjera të tregut.

Sipas Iute, zhvillime të tilla mund të shkaktojnë dëmtim reputacional, humbje të besimit të klientëve dhe kontroll më të fortë të gjithë industrisë nga autoritetet, pavarësisht nëse vetë kompania ka qenë apo jo e përfshirë në rastet konkrete.

Një tjetër pikë që Iute e konsideron veçanërisht të rëndësishme është ndikimi që publiciteti negativ mund të ketë drejtpërdrejt te klientët.

Kompania pranon se aftësia e saj për të tërhequr dhe mbajtur klientë varet në masë të madhe nga marketingu dhe reputacioni publik, përfshirë perceptimin për shërbimin ndaj klientit, integritetin dhe praktikat e biznesit.

Në prospekt përmendet veçanërisht edhe mbledhja e borxheve. Sipas kompanisë, publiciteti negativ rreth kreditimit afatshkurtër, edhe kur lidhet me incidente të izoluara apo praktika të tilla si mbledhja e detyrimeve, mund të cenojë besimin e klientëve dhe të dëmtojë reputacionin e Iute.

Pasojë e drejtpërdrejtë, sipas dokumentit, mund të jetë vështirësia për të ruajtur ose zgjeruar bazën e klientëve, por edhe rënia e kërkesës për kreditë dhe shërbimet e kompanisë.

Kështu, në dokumentin zyrtar të përgatitur për investitorët, Iute e identifikon publikisht si rrezik për modelin e saj të biznesit jo vetëm forcimin e mundshëm të rregullave mbi kreditë afatshkurtra, por edhe rritjen e kritikave në media dhe humbjen e besimit të konsumatorëve. /skyweb.al

Të Ngjashme