Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka reaguar pas përmbylljes së procesit të zgjedhjes së Presidentes së Kosovës, duke kërkuar që institucionet të përqendrohen tashmë në qeverisje dhe në zgjidhjen e problemeve me të cilat përballen qytetarët.
Përmes një reagimi në Facebook, Lushaku-Sadriu ka kritikuar mënyrën se si është zhvilluar procesi politik, duke thënë se mungesa e vullnetit për kompromis mund ta bëjë politikën “dramatike dhe vulgare”.
“Dje përfundoi ky proces. Nga sot, pushteti duhet t’i kthehet përgjegjësisë për të qeverisur”, ka shkruar ajo.
Sipas deputetes së LDK-së, vendi ka humbur kohë për shkak të krizave, bllokadave dhe përplasjeve politike, ndërsa qytetarët presin rezultate konkrete në fusha të rëndësishme.
Ajo ka përmendur arsimin, shëndetësinë, zhvillimin ekonomik, punësimin, pagat dhe sundimin e ligjit si disa prej çështjeve ku, sipas saj, duhet të ketë më shumë angazhim institucional.
Lushaku-Sadriu ka vënë theks edhe te procesi i integrimit evropian, si dhe te nevoja për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe marrëdhënieve me aleatët.
Deputetja ka bërë të ditur se në Kuvend do të vazhdojë të kërkojë llogari nga pushteti dhe të ngrejë çështje që lidhen me problemet e qytetarëve dhe të ardhmen e vendit.
“Do të jem kritike dhe e zëshme aty ku duhet, por gjithmonë me bindjen se politika duhet të kthehet te ajo për të cilën ekziston: të përmirësojë jetën e qytetarëve”, ka deklaruar ajo.
Në fund të reagimit, Lushaku-Sadriu ka përcjellë edhe një mesazh për mënyrën se si, sipas saj, duhet të funksionojë politika në vend.
“Kosovës i duhet më pak spektakël politik dhe më shumë shtet. Më pak arrogancë dhe më shumë përgjegjësi. Më pak fjalë dhe më shumë rezultate”, ka shkruar ajo.
