Politologu Albinot Maloku duke dënuar incidentin e ndodhur në Skenderaj, ku u sulmua fizikisht kryetari i degës së LVV-së, Hysni Mehani që sipas tij e bëri Sami Lushtaku ka thënë se është investuar shumë në gjuhën polarizuese.
Ai ka kritikuar edhe mënyrën e reagimit të kryeministrit në detyrë, njëherit kryetar i Vetëvendosjes, Albin Kurti, duke thënë se e politizoi rastin.
“Unë kam pritur që këto reagimet që u bënë, sidomos nga LVV dhe kreu i saj, nga mbledhja e Qeverisë të mos i qasen me ‘nuk na ndalin këto banda”, ka mundur të jetë dënojmë rastin dhe me kryesorja angazhimin e organeve të rendit të zbardhin rastin. Ky lloj reagimi gjithsesi që ka peshën e vet. Politizimi i reagimit ndodhi nga kreu i LVV-së, nga pozicioni i kryeministrit në detyrë”, ka thënë Maloku në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka dënuar sulmin ndaj kryetarit të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj dhe kandidatit për deputet, Hysni Mehani, duke e cilësuar atë si “të papranueshëm dhe qyqar”.
Kurti u ka bërë thirrje organeve të rendit që të ndërmarrin veprime urgjente ndaj përgjegjësve të incidentit.
Ai ka theksuar se sulmet e tilla nuk i trembin e as nuk i shtyjnë të tërhiqen nga gara politike në asnjë qytet.
“Teksa po përgatiteshim për mbledhjen e Qeveris, na erdhi lajmi se kryetari i Qendrës së LVV-së në Skenderaj, Hysni Mehani, u sulmua me grushte dhe u godit me gotë në kokë teksa po pinte kafe me deputeten Arjeta Fejza dhe aktivistë të tjerë. Qeveria e Kosovës e dënon këtë sulm qyqar e të papranueshëm që shpërfaq mendësinë banditeske. Veprimet e tilla nuk na trembin e nuk na shtyjnë të tërhiqemi nga gara politike në asnjë qytet. Nga kjo mbledhje u bëjmë thirrje organeve të rendit që me urgjencë të marrin veprime ndaj përgjegjësve të këtij sulmi”, ka deklaruar Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë.
Maloku ka thënë se PDK do duhej të reagonte dhe dënonte sulmin.
