Lajme

Maqedonci në takimin e 37-të të Grupit të Kontaktit për Ukrainën, tregon kontributin e Kosovës në mbështetje të Kievit

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka marrë pjesë në takimin e 37-të të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, i cili u mbajt në Selinë e NATO-s në Bruksel.

Përmes një njoftimi në Facebook, Maqedonci ka bërë të ditur se në këtë takim u riafirmua vazhdimi i mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë për Ukrainën dhe popullin e saj.

Ai ka theksuar se Kosova po kontribuon konkretisht në këtë përpjekje të përbashkët, duke përmendur trajnimin e 146 pjesëtarëve ukrainas në shtatë grupe, në bashkëpunim me Komandën Evropiane të SHBA-së (EUCOM), si dhe dërgimin e dy pakove të mbështetjes ushtarake.

Maqedonci ka bërë të ditur gjithashtu se pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), për më shumë se dy vjet, kanë kontribuar në trajnimin e rekrutëve ukrainas në kuadër të Operacionit Interflex në Mbretërinë e Bashkuar.

Ai ka ritheksuar se Kosova do të vazhdojë të qëndrojë pranë Ukrainës në mbrojtje të lirisë, sovranitetit dhe paqes në Evropë.

Në kuadër të qëndrimit në Bruksel, para fillimit të takimit, ministri Maqedonci zhvilloi edhe një takim me homologun e tij shqiptar, Ermal Nufi, në Përfaqësinë e Shqipërisë në NATO.

Gjatë këtij takimi, sipas Maqedoncit, u diskutua për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në fushën e mbrojtjes, ndërsa ai e falënderoi ministrin Nufi për mbështetjen e Shqipërisë ndaj anëtarësimit të Kosovës në NATO.

“Një NATO më e fortë në Ballkan do të thotë një Evropë më e sigurt”, ka shkruar Maqedonci në Facebook./teve1.info/

Të Ngjashme