Një ngjarje e pazakontë dhe tronditëse është regjistruar në Pensilvani të Shteteve të Bashkuara, ku një 48-vjeçar akuzohet se ka tentuar të shembë shtëpinë e tij me një ekskavator pas një konflikti me bashkëshorten.
Sipas autoriteteve, Erik Pierwsza u arrestua pasi dyshohet se përdori një ekskavator për të shkatërruar pjesën e pasme të banesës, ndërkohë që bashkëshortja dhe dy vajzat e tij ndodheshin ende brenda.
Hetuesit bëjnë me dije se ngjarja ndodhi pasi burri ishte kthyer në shtëpi pas një nate ku kishte konsumuar alkool. Gjatë debatit, bashkëshortja i kishte thënë se martesa e tyre kishte marrë fund. Sipas dokumenteve të policisë, ai i është përgjigjur: ‘Nëse gjithçka ka mbaruar, do ta shemb shtëpinë.’
Vetëm pak çaste më vonë, ai dyshohet se hipi në një ekskavator tip ‘Kubota’ dhe nisi të godiste strukturën e banesës. Pamjet e publikuara nga mediat lokale tregojnë dëme të mëdha në ndërtesë, me pjesë të saj të shembura plotësisht.
Gjatë telefonatës së emergjencës, operatorët dëgjuan britma dhe zhurmën e makinerisë së rëndë. Fatmirësisht, gruaja dhe dy vajzat arritën të largoheshin nga shtëpia pa pësuar lëndime.
Pas dëmtimit të banesës, 48-vjeçari u largua nga vendi i ngjarjes me automjet, por më vonë u vetëdorëzua në polici. Autoritetet thanë se ndaj tij janë ngritur disa akuza, përfshirë rrezikim të jetës së të tjerëve, shkaktim katastrofe dhe prishje të rendit publik.
Policia theksoi se dhuna në familje mbetet një problem serioz dhe se rasti po hetohet në detaje. Ndërkohë, bashkëshortja e të dyshuarit pritet të kërkojë urdhër mbrojtjeje.
