Dikur një nga vendet me dendësinë më të lartë të popullsisë në botë, sot Hashima është një ishull i braktisur, i mbushur me ndërtesa të rrënuara. Ishulli japonez, pranë Nagasakit, kishte në kulmin e tij 5.259 banorë, por u boshatis plotësisht brenda vetëm pak muajsh.
Historia e Hashimës nisi në fillim të shekullit XIX, pas zbulimit të një vendburimi qymyri nën shtratin e detit. Në vitin 1890, Mitsubishi mori kontrollin e minierës dhe nisi shfrytëzimin e saj, duke hapur tunele vertikale për të arritur rezervat e qymyrit.
Me shtimin e punëtorëve, ishulli nisi të transformohej. Në vitin 1916 u ndërtuan disa nga godinat e para prej betoni të armuar në Japoni. Më pas u ngritën shkolla, spitale, kinema, bare dhe ndërtesa banimi. I rrethuar me mure mbrojtëse kundër tajfuneve, Hashima mori nofkën ‘Gunkanjima’, që do të thotë ‘ishulli i luftanijes’.
Në një sipërfaqe prej vetëm rreth gjashtë hektarësh jetuan deri në 5.259 persona, duke arritur një dendësi prej rreth 83 mijë banorësh për kilometër katror.
Por gjithçka ndryshoi kur Japonia nisi të zëvendësonte qymyrin me naftën si burim kryesor energjie. Në janar të vitit 1974 u njoftua mbyllja e minierës. Punëtorët u transferuan ose mbetën pa punë dhe largimi i banorëve nisi menjëherë. Më 20 prill 1974, edhe banori i fundit u largua nga Hashima.
Për 35 vite ishulli mbeti i mbyllur dhe ndërtesat u dëmtuan nga klima dhe kripa e detit.
Në vitin 2009 Hashima u hap pjesërisht për turistët, ndërsa në vitin 2015 u përfshi në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s. Sot vizitohet përmes tureve nga Nagasaki, por vetëm një pjesë e vogël është e aksesueshme për shkak të rrezikut të shembjes së ndërtesave.
