Lajme

Mbrëmje bamirësie për Onkologjinë, marrin pjesë presidentja Shiroka-Pula dhe ish-presidentja Jahjaga

Cineplexx, së bashku me Womens secret dhe Medical Park, organizoi një mbrëmje bamirësie në kuadër të Muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, në bashkëpunim me filmin “Dua”, ku të gjitha të ardhurat e mbledhura nga kjo mbrëmje do t’i dhurohen repartit të Onkologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Menaxheri i marketingut në Cineplexx, Fidan Jupolli, tha se kjo nismë synon të kontribuojë në ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit dhe të mbështesë pacientët që trajtohen në këtë klinikë.

Jupolli: Kontribut për ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit dhe mbështetje pacientëve në Onkologji

“Në kuadër të muajit tetor për ndërgjegjësimin e kancerit të gjirit, së bashku me filmin “Dua” kemi mbajtur këtë mbrëmje dhe të gjitha të ardhurat të kësaj mbrëmjeje do t’i dhurojmë në QKUK pranë Klinikës së Onkologjisë. Ndërgjegjësimi për kancerin e gjirit vlen shumë. Jemi të nderuar që kemi pasur presidenten Justina, por edhe presidenten Atifete Jahjaga”, tha Jupolli.

Regjisorja e filmit “Dua”, Blerta Basholli, u shpreh se është e veçantë që filmi është përzgjedhur për një aktivitet që i kushtohet kësaj kauze, duke treguar se edhe vetë bën pjesë në grupin e rrezikut.

Basholli: Kontrollohem çdo gjashtë muaj, i rekomandoj secilës që të kontrollohet me kohë

“Është nder e veçantë që është zgjedhur filmi ynë sonte për një kauzë kaq të rëndësishme. Unë për vete jam në grupin e rrezikut, një e kemi humbur fatkeqësisht. Është me rëndësi sonte dhe çdoherë të ngrehim vetëdijesimin se sa e rëndësishme është të bëhen kontrollet. Unë kontrollohem çdo gjashtë muaj, por i rekomandoj secilës që të kontrollohet me kohë. Falënderoj presidenten Justina dhe Jahjaga që janë sonte me ne”, tha Basholli.

Ndërsa, doktoresha Edona Sopaj theksoi rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe të diagnostikimit të hershëm, duke nënvizuar se kanceri i gjirit nuk duhet të trajtohet si temë tabu.

Sopaj: Ndërgjegjësimi dhe parandalimi është arma më e fuqishme

“Kanceri i gjirit nuk është një temë tabu, është një problem që hasim çdo ditë dhe ekzaminimi është një gjë shumë e thjeshtë. Duhet 10 minuta për të parë patologjinë e gjirit. Metodat janë ultrazëri dhe mamografia. Mbi moshën 40 vjeçare përdoret ultrazëri. Ajo që duhet të themi sonte është se ndërgjegjësimi dhe parandalimi është arma më e fuqishme”, tha ajo.

Në këtë mbrëmje morën pjesë presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula dhe ish-presidentja Atifete Jahjaga.

Të Ngjashme