Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) ka ngritur alarmin për përkeqësim të motit në disa qarqe të vendit, duke paralajmëruar reshje intensive që mund të shkaktojnë përmbytje të lokalizuara dhe probleme në zonat malore.
Sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO) dhe Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, gjatë ditës së sotme, 18 nëntor, qarku i Shkodrës pritet të përballet me reshje intensive deri lokalisht shumë intensive.
Ndërkohë, në qarqet Kukës, Dibër dhe Lezhë parashikohen reshje me intensitet mesatar deri intensiv, të shoqëruara në disa zona me shtrëngata.
Situata pritet të vijojë edhe gjatë ditës së nesërme, 19 nëntor, ku sipas parashikimeve meteorologjike reshje intensive deri lokalisht shumë intensive priten në qarqet Shkodër dhe Kukës, ndërsa reshje intensive do të ketë edhe në qarkun Dibër.
Autoritetet paralajmërojnë se si pasojë e sasisë së madhe të reshjeve mund të krijohen grumbullime uji dhe përmbytje të lokalizuara në zona urbane. Po ashtu, në zonat malore kërkohet vëmendje e shtuar për shkak të rrezikut nga vërshimet e përrenjve dhe rrëshqitjet e mundshme të dherave.
AKMC bën të ditur se u ka kërkuar strukturave vendore të marrin masa parandaluese, të monitorojnë vazhdimisht zonat me risk dhe të mbajnë në gatishmëri kapacitetet e nevojshme për ndërhyrje në rast emergjencash.
Në njoftimin e saj, Agjencia u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë lëvizjeve, veçanërisht në zonat më të ekspozuara ndaj motit të keq, si dhe të ndjekin njoftimet dhe udhëzimet zyrtare të institucioneve përgjegjëse.
AKMC thekson se po vijon monitorimin e situatës në terren dhe koordinimin me të gjitha strukturat përkatëse, duke vendosur në prioritet sigurinë dhe mbrojtjen e qytetarëve.
/rtsh.al/
