Lajme

Mbrojtja e të akuzuarve kërkon vendim të drejtë në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt

Mbrojtësit e të akuzuarve në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt kanë paraqitur qëndrimet e tyre përfundimtare para gjykatës, duke kërkuar vendime të drejta dhe të bazuara në prova.

Avokati i të akuzuarit Naim Murseli, Shemsedin Piraj ka kërkuar dënim të drejtë për klientin e tij.

Piraj: Kërkojmë vendim të drejtë

“U kërkua një dënim jashtëzakonisht i ashpër, i cili qe paraparë mos paku 10 vjet apo dënimi i përjetshëm. Ata që merren me këtë punë e dinë më së mirë, juristët, prokurorët dhe gjyqësia. Unë kërkoj që çdo pretendim i të cilat janë ngritur, t’i vlerësoni dhe të merrni një vendim të drejtë”, tha ai.

Gjatë fjalës përfundimtare mbrojtësi i Naim Murselit tha se në këtë proces janë katër çështje kyçe.

Sipas tij, gjatë hetimeve është dashur të bëhet ekzaminimi i rrobave të Naim Murselit.

Piraj: Duhet të ishin marrë rrobat Naimit për hetim

“Thuhet që është shtirë me revole nga dritarja gjysma e hapur. Mirëpo, për ta vërtetuar edhe për ta hudhë versionin e Naimit, që ky nuk ka qenë prezent me rastin e privimit nga jeta, një veprim procedural shumë i fortë s’u kry. S’ka faj prokuroria. Këtu gjatë hetimeve u deshtë Naimit me ia marrë teshat. Teshat me ia marrë, me këqyr prezencën e grimcave të barutit me rastin e shkrepjes së revoles. Nëse do të vërtetohej prezenca e grimcave të revoles nga shkrepja e dytësoreve, do mbrojtja e Naimit është e kotë. Ky le të flet gjithë ditën. Prova flet diçka tjetër. Kjo s’u kry”, tha ai.

Pafajësinë për Granit Plavën kërkoi avokati i tij, Skënder Gojani, i cili tha se Prokuroria nuk ka prova.

Gojani: Granit Plava të shpallet i pafajshëm

“Duke u bazuar në mungesë të provave direkte, mungesë të provave forenzike, mungesë e identifikimit nga dëshmitarët, dhe fakti kryesor se as i akuzuari i parë nuk e identifikon Granitin si autor, mbrojtja i propozon kësaj gjykate që të pandehurin, Granit Plava, ta shpallë të pafajshëm për veprën penale vrasje e rëndë. Sepse në fund, drejtësia nuk është të dënojë dikë për shkak të peshës së rastit. Drejtësia është të mos e dënojë një person kur nuk ka prova. Sepse në të drejtën penale nuk dënohet për atë që dyshohet, por vetëm për atë që provohet. Dhe në këtë rast nuk është provuar”, tha ai.

Fjalën përfundimtare të avokatit të tij e mbështeti edhe Granit Plava.

Ndërsa, Ndrec Dodaj, avokati mbrojtës i të akuzuarit, Kushtrim Kokalla kërkoi që vendimi të bazohet në provat e administruara.

Dodaj: Vendimi të bazohet në provat që janë administruar

“kërkojmë nga gjykata që vendimi të bazohet në provat që janë administruar, që janë vërtetuar. Kërkojmë nga gjykata që të mos lexojë SMS apo mediat se çfarë flasin. Sidomos disa portale, që i gjykojnë pa as një lloj gjykimi i marrin dhe i gjykojnë faktet, por vendimi të bëhet në bazë të provave. Sepse, për fat të keq, jemi në një presion shumë të madh”, tha ai.

Edhe i akuzuari, Kushtrim Kokalla u pajtua me fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij.

Burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla që akuzohen për vrasjen e Liridona Ademaj kërkuan prokurorja Javorka Perkinçeviq, vëllai i të ndjerës Liridona, Leonard Ademaj dhe avokat i i familjes Ademaj. 

Të Ngjashme