Lajme

Më 18 dhe 19 korrik mbyllet përkohësisht rruga Brezovicë–Prevallë, shkak gara automobilistike

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se më 18 dhe 19 korrik do të zhvillohet Gara Automobilistike Malore “Brezovica 2026”, e organizuar nga Federata e Auto Sporteve të Kosovës.

Për shkak të mbajtjes së garës, segmenti rrugor Brezovicë–Prevallë (R115) do të mbyllet përkohësisht për qarkullim në intervalin kohor nga ora 10:30 deri në 18:00, gjatë të dyja ditëve.

Sipas njoftimit të ministrisë, më 18 korrik do të zhvillohen stërvitjet zyrtare, ndërsa më 19 korrik do të mbahet gara zyrtare.

Për mbarëvajtjen e aktivitetit dhe garantimin e sigurisë së pjesëmarrësve, organizatorët do të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe institucionet përgjegjëse.

Ministria u ka bërë thirrje qytetarëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të planifikojnë paraprakisht lëvizjet e tyre, të respektojnë sinjalizimin e përkohshëm rrugor dhe udhëzimet e Policisë së Kosovës dhe zyrtarëve të angazhuar në terren./teve1.info/

Të Ngjashme