94 mijë franga.
Kjo është shuma që një mërgimtare raportoi në polici se iu vodh në banesën e saj, në rrugën “Myrvete Maksutaj” në Pejë.
Mërgimtarja nga Zvicra, deklaroi në polici se gjithë këtë shumë të konsiderueshmet parave e kishte në valixhe.
“Ka raportuar se nga valixhja e saj i është vjedhur një shumë e konsiderueshme parash. Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë intervistuar viktimën, ndërsa organet kompetente janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për identifikimin dhe arrestimin e personit apo personave të dyshuar”, thuhet nga Policia.
Në hetimin e këtij rasti, sipas detyrës zyrtare është aktivizuar edhe Prokuroria Themelore e Pejës.
Zëdhënësi Shkodran Nikçi tregon se janë duke punuar në identifikimin e autorit dhe në zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj vjedhjeje.
“Me tu raportuar ky rast në Policinë e Kosovës menjëherë është njoftuar edhe prokurori kujdestar i departamentit të përgjithshëm, në këtë rast janë involvuar edhe hetimet rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë, janë ndërmarrë veprimet hetimore të caktuara. Janë kryer disa urdhërkontrolla, ndërkaq në këtë fazë jemi në fazën intensive të veprimeve hetimore në mënyrë që të identifikohet kryersi apo kryersit e mundshëm të kësaj vepre penale që më pas të arrestohen”, ka thwnw Nikçi.
Deri më tani, Nikçi tregoi se janë kryer disa intervistime, si dhe në ditët në vazhdim do të zhvillohen hetime intensive për rastin.
Siç mësohet, do të vërtetohet gjithashtu nëse 94 mijë frangat kanë qenë të deklaruara.
