Gra që përpiqen të jenë perfekte në çdo detaj, sepse kështu janë mësuar që fëmijë. Vajza të reja me vetëvlerësim të ulët, të bindura se nuk meritojnë dashuri apo vëmendje për atë që janë në të vërtetë. Partnere që përfundojnë vazhdimisht në marrëdhënie të lodhshme me “burra të fortë”, sepse refuzimi dhe mungesa e ngrohtësisë emocionale u është bërë normale që në fëmijëri.
Çfarë kanë të përbashkët? Shumë prej tyre janë rritur me prindër narcisistë.
Pas fasadës së “prindit të fortë”, “perfeksionistit” apo “autoritarit”, shpesh fshihet një figurë që kërkon kontroll, admirim dhe pushtet emocional mbi familjen. Dhe ndërsa fëmijët rriten duke u përpjekur të fitojnë dashurinë apo miratimin e tyre, ata humbasin diçka thelbësore, ndjenjën e sigurisë emocionale.
Psikologia, Sarah Davis, e cila ka shkruar librin Raised by Narcissistic Parents, shpjegon se shumë të rritur sot mbajnë ende brenda vetes plagët e një fëmijërie ku prindërit nuk kanë qenë strehë e sigurt, por burim frike, faji dhe konfuzioni emocional.
Sipas saj, një prind narcisist nuk është gjithmonë i lehtë për t’u identifikuar. Nuk bëhet fjalë vetëm për njerëz arrogantë apo egocentrikë. Shpesh ata shfaqen si prindër “të përkushtuar”, por në realitet janë emocionalisht të distancuar, manipulues dhe të përqendruar tek vetja. Fëmija nuk shihet si individ me nevoja dhe ndjenja, por si një zgjatim i prindit.
Rezultati? Fëmijë që rriten me bindjen se nuk janë kurrë “mjaftueshëm të mirë”.
Ata mësohen të jetojnë mes frikës dhe fajit. Të kenë kujdes çdo fjalë që thonë. Të mos shprehin emocionet e tyre. Të fitojnë dashurinë vetëm nëse “performojnë siç duhet”, nëse janë të suksesshëm, të bindur apo perfektë.
Kjo është ajo që psikologët e quajnë “dashuri e kushtëzuar”.
Brenda familjeve të tilla krijohen shpesh role të caktuara, “fëmija i artë”, që ekziston për të ushqyer egon e prindit; “fëmija i humbur”, që mëson të bëhet i padukshëm për të shmangur konfliktet; dhe “kurbanin”, ai që mban mbi supe kritikat, fajin dhe zemërimin e familjes. Edhe kur ka vetëm një fëmijë në familje, ai shpesh detyrohet të luajë të gjitha këto role njëkohësisht.
Problemi është se këto plagë nuk mbeten në fëmijëri.
Fëmijët e rritur në sisteme të tilla shpesh hyjnë në moshë madhore pa e ditur kush janë realisht. Ata e kanë të vështirë të krijojnë marrëdhënie të shëndetshme, të vendosin kufij apo të besojnë se meritojnë dashuri pa kushte. Për këtë arsye, shumë prej tyre përfundojnë duke përsëritur të njëjtat modele toksike në marrëdhënie: partnerë manipulues, marrëdhënie abuzive, ndarje të dhimbshme apo lidhje ku humbasin veten.
Sipas ekspertëve, kjo lidhet me atë që quhet traumë komplekse emocionale ose stres post-traumatik kompleks, i shkaktuar nga vite të tëra kritike, refuzimi, kontrolli dhe pasigurie emocionale gjatë fëmijërisë.
Por njohja e problemit është hapi i parë drejt shërimit.
Sepse shumë njerëz janë rritur duke menduar se kjo ishte “normale”. Nuk ishte. Dhe të kuptosh se plagët emocionale të së shkuarës nuk janë faji yt, por pasojë e një ambienti toksik, mund të jetë fillimi i një jete më të shëndetshme emocionalisht.
