LifeStyle

Mikrotradhtia, çfarë është në të vërtetë dhe pse e dëmton lidhjen

Të gjithë e dimë çfarë është tradhtia në një marrëdhënie dashurie, pra kur një nga partnerët krijon një lidhje emocionale dhe fizike me një person të tretë (edhe pse për disa njerëz, tradhtia fizike nuk konsiderohet gjithmonë “tradhti e plotë”). Megjithatë, me zhvillimin e rrjeteve sociale, po flitet gjithnjë e më shumë për mikrotradhtinë.

Duhet theksuar që në fillim se si tradhtia, ashtu edhe mikrotradhtia, janë çështje shumë subjektive. Çdo çift i vendos vetë rregullat e tij dhe ajo që për dikë është e rëndë, për dikë tjetër mund të mos ketë të njëjtën peshë. Prandaj njohja dhe mirëkuptimi mes partnerëve është thelbësor.

Çfarë është mikrotradhtia?

Në mikrotradhti nuk ka marrëdhënie seksuale dhe as puthje. Por, njësoj si në tradhtinë klasike, ka një prishje të besimit. Format e saj janë të ndryshme dhe shpesh ndodhin online: mesazhe me persona me të cilët krijohet një intimitet i fshehtë (ose me ish-partnerë), flirtime, nxitje e dikujt që të mendojë se jemi “të lirë” dhe të disponueshëm, apo përdorimi i aplikacioneve të takimeve edhe kur je në një lidhje.

Janë veprime të vogla në dukje, por që mund të gërryejnë besimin dhe intimitetin e çiftit. Megjithatë, gjithçka varet nga transparenca dhe konsensusi. Për shembull, nëse një çift bie dakord që marrëdhënia e tyre lejon kontakte të tjera, atëherë nuk kemi më tradhti. Problemi lind kur këto kufij nuk respektohen.

Shenjat e mikrotradhtisë

Shenjat nuk janë gjithmonë të qarta. Nuk mjafton, për shembull, që partneri ta vendosë telefonin me ekran poshtë për të dyshuar diçka.

Zakonisht mikrotradhtia shfaqet me:

më pak vëmendje ndaj partnerit kryesor

distancim emocional

mungesë përfshirjeje në marrëdhënie

Megjithatë, nuk duhet të kthehemi në obsesion apo dyshim të vazhdueshëm. Marrëdhëniet nuk janë vetëm kjo pjesë. Në disa raste, mund të ndihmojë terapia në çift për të rindërtuar besimin dhe për të “rregulluar” marrëdhënien.

Si parandalohet ose zgjidhet mikrotradhtia

Gjithçka nis nga vendosja e kufijve të qartë në çift:

A lejohet komunikimi me ish-partnerë?

A lejohet flirtimi në rrjete sociale?

Ku fillon dhe ku mbaron intimiteti emocional?

Nëse dyshohet se ka ndodhur mikrotradhti, është e rëndësishme të flitet hapur, me qetësi dhe pa akuza. Duhet kuptuar situata dhe të kërkohet një zgjidhje.

Në disa raste marrëdhënia mund të shpëtohet, në disa të tjera jo dhe ndarja mund të jetë vendimi më i shëndetshëm për të dy.

Të Ngjashme