Lajme

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë: S’ka ndryshim në planet e KFOR-it për Kosovën

Nuk ka asnjë ndryshim të planeve të sigurisë së KFOR-it në Kosovë, ka deklaruar ministri i mbrojtjes së Shqipërisë, Ermal Nufi.

Një gjë e tillë, ai tha se i është konfirmuar në takimet që ka pasur në Bruksel me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte por edhe me kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Giuseppe Vaco Dragone.

Në këto takime, ai shtoi se ka ngritur shqetësimin për nivelin e sigurisë në Kosovë por edhe rajon.

Këto deklarime ai i bëri pas vizitës dhe takimit me homologun e tij nga Kosova, Ejup Maqedonci.

Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Ermal Nufi tha se “Republika e Shqipërisë qëndron krah për krah me Kosovën”.

Ai tha se bashkëpunimi me Kosovën është thelbësor për rritjen e kapaciteteve dhe garantimin e sigurisë së të dyja vendeve.

Po ashtu, foli edhe për nivelin e sigurisë në Kosovë, për çka tha se një gjë e tillë i është garantuar në takimet që ka pasur në Bruksel.

“Shqipëria e ka ngritur shqetësimin e sigurisë në rajon, veçanërisht sigurisë në Kosovë, kemi shprehur shqetësimet tona në raport me situatën e sigurisë, duke e theksuar që situata e sigurisë në Kosovë është drejtpërdrejt situatë e sigurisë për Republikën e Kosovës dhe çdo zhvillim dhe çdo implikim i mundshëm në Kosovë sjell një shqetësim në Republikën e Shqipërisë në aspektin e sigurisë. Në të dyja takimet, si me zotëri Rutte si me zotëri Dragone u konfirmua që nuk ka një ndryshim të paktën deri më sot të planeve të sigurisë së KFOR-it për sa i përket angazhimit të KFOR-it në Republikën e Kosovës. Besoj që të gjitha zhvillimet tjera do të adresohen në kuadër të bashkëpunimit që ne kemi në kemi në aleancë. Besoj që situata e sigurisë në Kosovë, për sa kohë ne i bëjmë të gjitha detyrat e shtëpisë, si në Kosovë por edhe si në kuadër të aleancës vazhdon të ngelet e qëndrueshme. Shqetësimet patjetër që i kemi përcjell, jemi shpresëplotë dhe të sigurt që vëmendja është e plotë për situatën e sigurisë në rajon por edhe situatën e sigurisë në rajon por edhe situatën e sigurisë në Kosovë”, ka thënë ai.

Ministrisë i Mbrojtjes së Shqipërisë u pyet edhe për armatimin e Serbisë nga Kina, për çka tha se kjo i takon këtij vendi.

“Republika e Serbisë i vendos vet çështjet e armatimit apo jo apo se si i konsideron çështjet e sigurisë së saj. Shqipëria si anëtare e NATO-s por edhe Kosova për sa kohë kemi misionin KFOR edhe qasja dhe vet evokimi që vet Qeveria e Kosovës ka në lidhje me sigurinë, besoj që të gjitha strategjitë e sigurisë i ka në përputhje dhe koordinim të plotë me NATO-n që është edhe gur themeli i garancisë së sigurisë jo vetëm në Kosovë por edhe rajon, për sa kohë që shumica e shteteve në rajon janë shtete anëtare të NATO-s”, u shpreh ai.

Kosova dhe Shqipëria do të dërgojnë trupat e tyre në Gaza, në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese të paraparë me themelimin e Bordit të Paqes, të presidentit amerikan, Donald Trump.

Ministri Nufi tha se ende nuk është përcaktuar numri i trupave që do të dërgohen në Gaza.

“Shqipëria por edhe Kosova kanë marrë përsipër që do të jenë pjesë në Gaza. Jemi në faza shumë të hershme, jemi akoma duke e shqyrtuar dhe duke e vëzhguar territorin ku mund të vendosën trupat tona. Besoj që në të ardhmen do të jemi në gjendje të ju japim edhe një përgjigje të saktë se sa trupa do të shkojnë, si do të shkojnë. Shqipëria ka një eksperiencë tash shumëvjeçare në angazhimin e misioneve ndërkombëtare, duke filluar nga Afganistani, Iraku, Bosnja e shumë vende të tjera”, tha ai.

Të Ngjashme