Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), ka njoftuar fermerët se për Pagesat Direkte 2026 janë pranuar gjithsej 33,460 aplikime.
Shqyrtimi administrativ i aplikimeve dhe kontrollet në terren për sipërfaqet bujqësore kanë përfunduar.
Sipas ministrisë, gjatë kësaj jave do të fillojë lëshimi i vendimeve dhe realizimi i pagesave për sipërfaqet bujqësore, paralelisht me publikimin e listave të përfituesve.
“Më pas do të vazhdohet me pagesat për skemat e tjera të mbështetjes. Fermerët që kanë kultivuar grurë do të mbështeten për sipërfaqet e mbjella, plehun artificial dhe shpenzimet e naftës, sipas normave dhe shumave të mbështetjes të viteve të mëparshme. Mbështetja për grurin për kilogram (gruri/kg) është skemë e veçantë, që vlen vetëm për fermerët që kanë dorëzuar grurin në mullinj dhe nuk ndikon në pagesat për sipërfaqet bujqësore. Për aplikimet e vitit 2026 zbatohet pragu minimal i rendimentit prej 3,225 kg/ha, sipas Udhëzimit Administrativ nr. 02/2026”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
