Lajme

Në burgjet e Kosovës 10 të dënuar me burgim të përjetshëm

Në Institucionet Korrektuese të Kosovës aktualisht janë 10 persona të dënuar me burgim të përjetshëm.

Sipas të dhënave, prej tyre 6 kanë vendime të formës së prerë, ndërsa 4 ende nuk kanë dënime të plotfuqishme.

Të dënuarit me burgim të përjetshëm e fitojnë të drejtën për të aplikuar për lirim me kusht vetëm pasi të kenë vuajtur 30 vite burgim.

Deri më tani, nuk ka pasur asnjë rast që ka arritur këtë prag kohor.

Numrit të të dënuarve me këtë dënim maksimal iu shtuan sot edhe dy persona, pasi Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli aktgjykimin për rastin e sulmit terrorist në Banjskë.

Të akuzuarit Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Toliq u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa Dushan Maksimoviq u dënua me 30 vite burgim.

Ata u shpallën fajtorë për sulmin terrorist të vitit 2023 në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa dy zyrtarë të tjerë policorë u plagosën.

Të Ngjashme