Përçarja politike në SHBA nuk po ndalet vetëm te kutitë e votimit, por po prek edhe marrëdhëniet personale. Sipas një studimi të fundit nga Universiteti i Kalifornisë në Irvine, i publikuar në “PNAS Nexus”, 37% e amerikanëve kanë humbur një mik, partner apo familjar për shkak të bindjeve politike të kundërta.
Të dhënat nxjerrin në pah edhe një dallim të fortë mes partive: 47% e demokratëve raportojnë se kanë përjetuar “ndarje politike”, krahasuar me 29% të republikanëve. Sipas studiuesve, demokratët kanë më shumë gjasa të jenë ata që ndërpresin marrëdhëniet.
Ekspertët paralajmërojnë se kjo situatë po krijon “flluska ideologjike”, ku njerëzit rrethohen vetëm nga ata që mendojnë njësoj si ata. Studiuesi kryesor, Mertcan Güngör, thekson se ndërprerja e kontakteve me persona që kanë mendime të ndryshme e bën më të vështirë shikimin e tyre si njerëz të zakonshëm, duke rritur armiqësinë dhe polarizimin në shoqëri.
Në një periudhë kur vetmia po konsiderohet gjithnjë e më shumë si problem social, studiuesit paralajmërojnë se këto “ndarje politike” mund të kenë pasoja serioze për shëndetin mendor dhe stabilitetin e demokracisë.
/tiranapost
