Lajme

Nënshkruhet marrëveshja për pjesëmarrjen e FSK-së në misionin ndërkombëtar në Gaza

Forca e Sigurisë së Kosovës ka finalizuar pjesëmarrjen e saj në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF) për Gazën.

Marrëveshja e Participimit është nënshkruar gjatë vizitës zyrtare në Kosovë të Komandantit të ISF Gaza, Gjeneral Major Jasper Jeffers, dhe stafit të tij.

Sipas njoftimit të FSK-së, në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe një përfaqësues i Bordit të Paqes.

Marrëveshja është nënshkruar nga Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, dhe përfaqësuesit e BoP/ISF Gaza.

Gjatë ceremonisë Jeffers e ka vlerësuar vendimin dhe gatishmërinë e Kosovës për të kontribuar në këtë mision ndërkombëtar, duke theksuar rëndësinë e kontributit të FSK-së në përpjekjet për paqe, siguri dhe stabilitet.

Jeffers ka shprehur gjithashtu mirënjohje për udhëheqjen e Kosovës dhe përkushtimin e institucioneve të vendit në mbështetje të këtij misioni.

Ndërkaq, Jashari ka falënderuar Jeffers për vlerësimin dhe bashkëpunimin, duke theksuar se pjesëmarrja e FSK-së në misionet ndërkombëtare të sigurisë është pjesë e vizionit të Kosovës për të dhënë kontribut konkret në promovimin e paqes dhe sigurisë.

“KOMFSK theksoi se FSK synon të rrisë vazhdimisht kontributin e saj në sigurinë ndërkombëtare, me një objektiv të qartë strategjik, kalimin nga një importues i sigurisë në një eksportues të saj”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

Sipas FSK-së, nënshkrimi i marrëveshjes shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e rolit të Kosovës si kontribuuese aktive në përpjekjet ndërkombëtare për paqe, siguri dhe stabilitet./teve1.info/

Të Ngjashme