Lajme

Nëntë punëtorë të vdekur brenda vitit, kërkohen më shumë masa sigurie

Ishte duke punuar kur vdiq.

Mbrëmja e së enjtes rezultoi fatale për një 29-vjeçar nga Gjakova, gjersa ra nga lartësia e një objekti në ndërtim e sipër.

Të tilla raste, vetëm gjatë këtij viti, u shënuan tetë.

Shkak kryesor i këtyre fataliteteve në vendpunishte po shihet mungesa e organizimit të brendshëm.

“Masa nuk janë marrë sepse ka mungu një menaxhim i brendshëm, një organizim i punës. Prandaj në çdo vendpunishte bëni programet e menaxhimit në vendin e punës, dhe ato programe dikush do t’i zbatojë. Sikur të ishin marrë masat do të parandaloheshin këto raste”, thotë eksperti i sigurisë dhe shëndetit në punë, Naim Bajraktari.

Inspektorati Qendror i Punës, përgjatë këtyre javëve, ka shtuar inspektimet ne terren.

Për këtë vlerësohet se shumë kompani nuk i plotësojnë kushtet e sigurisë.

“Nuk mjafton një fushatë dyjavore, e që në bazë të kalkulimeve tona që kemi bërë ne, domethënë, gjatë kësaj fushate dyjavore mund t’i kontrollojnë rreth 400 kompani. Në mesin e këtyre 400 kompanive, diku rreth 200 kompani që do të thotë çdo e dyta kompani e kanë vërejtur që nuk i ka pajisjet adekuate për respektimin e ligjit mbi sigurinë dhe shëndetin në punë”, tha Jusuf Azemi nga Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat.

Por si mund të parandalohen këto raste?

“Inspektorati i Punës duhet të jetë shumë më i disiplinuar. Por para Inspektoratit, them se duhet të jenë pronarët e kompanive. Dhe unë mendoj që duhet të jetë një trekëndësh pronari i kompanisë, Sindikata dhe Inspektorati i punës, që të bëjnë edukimin e aq sa mundet të punëtorëve në vendet e tyre të punës”, tregon Azemi.

Televizioni ka tentuar të marrë një përgjigje nga Inspektorati  Qendror i Punës, por të njëjtit nuk kanë pranuar të flasin, derisa siç thanë, të përfundojnë të gjitha inspektimet nëpër vendpunishte.

Ndërkaq sipas të dhënave të publikuara, në 48 orët e fundit janë shqiptuar 13 masa ndalimi të punimeve dhe janë dhënë 12 vërejtje.

Të Ngjashme