Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se të mërkurën do të ketë kufizime të përkohshme në qarkullimin e automjeteve të transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë.
Sipas njoftimit të Ministrisë, kufizimi vjen si pasojë e temperaturave të larta të parashikuara për ditën e nesërme.
“Në AUTOUDHË, kufizimi do të jetë në fuqi nga ora 11:00 deri në 17:30, pasi temperatura e parashikuar plotëson kushtin prej 32°C ose më shumë”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse nuk do të ketë kufizime për qarkullimin e këtyre automjeteve.
“Në rrugët NACIONALE, RAJONALE dhe LIDHËSE, qarkullimi lejohet pa kufizime”, njofton Ministria.
Nga ky kufizim do të përjashtohen automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike, shërbimeve emergjente dhe institucioneve shëndetësore.
Ministria u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë dhe ngasësve që ta respektojnë kufizimin dhe ta planifikojnë qarkullimin në përputhje me orarin e përcaktuar.
