Lajme

Nesër nis intervistimi, deputeti i VV-së: Kryetari i Pejës ftohet të dëshmojë për rastin Arlinda Zekaj

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe anëtari i Komisionit Hetimor Parlamentar për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt ka bërë të ditur se nga nesër nis intervistimi i dëshmitarëve.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka njoftuar se në mesin e të ftuarve është edhe kryetari i Komunës së Pejës, i cili ende nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen, ndonëse ka pranuar ftesën.

Deputeti ka theksuar gjithashtu se Komuna e Pejës ende nuk i ka dorëzuar dokumentet e kërkuara nga Komisioni, duke kërkuar transparencë dhe përgjegjësi në procesin hetimor.

Postimi në Facebook:

Mirëmëngjesi miq,

Nga nesër fillon intervistimi i dëshmitarëve para Komisionit Hetimor për rastin e Arlinda Zekaj.

Ndër dëshmitarët e ftuar është edhe Kryetari i Komunës së Pejës. Përkundër faktit se kemi treguar mirëkuptim dhe kemi respektuar datat kur ai ka njoftuar se do të jetë në udhëtim, duke e caktuar një datë tjetër për intervistim, pra nesër, deri më tani është konfirmuar pranimi i ftesës së dytë, por jo edhe pjesëmarrja e tij.

Duhet theksuar se paraqitja para Komisionit është obligative. Natyrisht, ne presim që ai të paraqitet dhe t’u përgjigjet pyetjeve të Komisionit për çështjet që lidhen me këtë rast.

Po ashtu, Komuna e Pejës ende nuk i ka dorëzuar dokumentet e kërkuara zyrtarisht nga Komisioni.

Procesi hetimor duhet të zhvillohet me transparencë, përgjegjësi dhe pa pengesa. Askush nuk është mbi obligimin për të dhënë llogari para një komisioni hetimor.

Të Ngjashme