Lajme

Nga Rashkoviqi te varrezat masive, analistët flasin për strategjinë e Beogradit

 

Të enjten, nga Mitrovica, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i është kundërpërgjigjur deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me rastin e Nenad Rashkoviqit.

Sipas Sveçlës, pretendimet e ngritura në lidhje me rastin Rashkoviq po përdoren për të minimizuar përgjegjësinë e shtetit serb për veprimet gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Dua të përmend po ashtu sjelljen absolutisht të papranueshme të presidentit Vuçiq, i cili një pretendim tenton ta shfrytëzojë për minimizimin e veprimeve të shtetit të Serbisë në luftën e fundit në Kosovë, për tërheqjen e vëmendjes nga të gjeturat, të cilat janë të tmerrshme. Domethënë, kemi zbuluar tri varreza masive, kemi zbuluar 71 armë të gjata”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë se institucionet e Kosovës do t’i trajtojnë të gjitha rastet, përfshirë edhe pretendimet për keqtrajtim, duke theksuar se hetimi do të zhvillohet në përputhje me procedurat përkatëse.

“Ne punën tonë do ta kryejmë. Qoftë në të dy rastet që i përmenda, i përmendëm së bashku, qoftë edhe në hetimin e këtij pretendimi”, ka thënë Sveçla.

Në fund, ai i ka bërë thirrje presidentit serb që të veprojë për të ndihmuar në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës.

“Vuçiq duhet të jetë adresa e fundit që ai të ankohet, por duhet të veprojë në mënyrë që plagët e shumë familjeve të personave të zhdukur me dhunë të fillojnë të shërohen”, është shprehur Sveçla.

Analistët vlerësojnë se rasti i Nenad Rashkoviqit nuk duhet ta zhvendosë vëmendjen nga zbulimi i varrezave masive dhe krimet e kryera ndaj shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë.

Sipas tyre, zhvillimet rreth rastit Rashkoviq rrezikojnë të përdoren në narrativën propagandistike të Serbisë, ndërsa institucionet e Kosovës duhet të jenë më të kujdesshme dhe aktive në trajtimin e rasteve të tilla.

Gani Qarri: Rasti i Nenad Rashkoviqit i shërbeu propagandës së Serbisë

Analisti Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot” ka komentuar rastin e Rashkoviqit, duke thënë se rasti është përdorur nga Serbia për të zhvendosur vëmendjen ndërkombëtare nga zbulimi i varrezave masive me shqiptarë të vrarë gjatë luftës.

Qarri ka thënë se rasti Rashkoviq është i lidhur me një strategji të Beogradit për të tërhequr vëmendjen nga krimet e luftës dhe varrezat masive në zonën e Kalludrës dhe përreth saj.

“Në fakt rastin e Nenad Rashkoviqit, është plotësisht e qartë, se e ka inskenuar Serbia, gjë që nuk është akt i rastësishëm, por veprim i mirëmenduar për tërheqjen e vëmendjes së opinionit botëror nga varrezat masive me kufomat e intelektualëve shqiptarë të masakruar në Kalludër dhe vendet përreth, e për fatin tonë të keq, mundësinë e “artë” Serbisë për instrumentalizimin e skajshëm të rastit të dyshimtë dhe shumë konspirativ të Rashkoviqit, nuk do mend se dyshohet që ia bënë dhuratë vet shqiptarët.

Dhe për këtë përgjegjësit kryesor janë pikërisht “hetuesit” e dërguar nga institucioni i shtetit për tu informuar direkt nga Rashkoviqi vet, të cilin ishin të obliguar ta intervistonin, por ata në vend se ta kryenin detyrën e besuar në plotëni dhe si duhet, u kthyen si pula të lagura, pa ia parashtruar asnjë pyetje të vetme dhe pa marrë as gjysmë informate autentike nga personi i apostrofuar, me arsyetimin skandaloz, se gjoja Zlatan Elek shefi i dorës së zgjatur të Serbisë në Kosovë, të ashtuquajturës “listë serbe” dhe drejtori i këtij spitali të pa licencuar serb i cili që nga paslufta punon ilegalisht në qytetin e minatorëve në Mitrovicë, i paska ndaluar hetuesit tanë shtetëror ta takojnë Rashkoviqin.

Përjetime të tilla të këqija si këto, që shkaktojnë dhembje edhe më të mëdha e vuajtje edhe më të rënda, për fat të keq, përsëriten pothuajse sa herë zbulohen varreza masive dhe gjenden eshtrat e shqiptarëve të vrarë e të masakruar nga Serbia, para mese 27 viteve që mjerisht të gjithë si popull, ne vazhdojmë ti ndjejmë në shpirt edhe gati tri dekada pas lufte”, ka thënë ai.

Sipas tij, njëra prej pasojave të këtij zhvillimi është krijimi i hapësirës për spekulime dhe për përdorimin e rastit nga Serbia në planin ndërkombëtar.

“Kjo nënkupton se në vende të caktuara ligjin ende nuk po arrin ta bëjë shteti as personat e autorizuar zyrtar por njerëz si Zlatan Elek, gjë që flet më çartë se çdo gjë tjetër, se çfarë dëmesh të mëdha dhe situata të pazakonta, zyrtar të tillë të papërgjegjshëm i shkaktojnë shtetit dhe popullit të Kosovës, njerëz të nivelit më tmerrues dhe jo-profesionist total, të cilët megjithëse ishin dërguar nga institucionet e sigurisë e të hetuesisë, dështuan 100% ta kryenin detyrën zyrtare dhe i krijuan Serbisë dhe Vuçiqt mundësinë, që me një gur të godas në mënyrë pafundësisht të rëndë, në dy caqe tejet të ndjeshme dhe shumë problematike për vendin tonë dhe shqiptarët e Kosovës.

E para, ata duke mos tentuar as minimalisht të merrnin informatat e nevojshme për të vërtetën autentike nga vet personi i apostrofuar dhe kthyer pa kryer detyrën e besuar zyrtare, me apo pa qëllim, u hapën rrugë të gjitha spekulimeve të mundshme që Serbia di ti bëjë me bollëk si dhe i lanë dorë të lirë Serbisë dhe Aleksandër Vuçiqit të luajnë siç dinë “më së miri” edhe me plagët dhe dhembjet tona, në plan të parë duke tërhequr vëmendjen e opinionit botëror dhe faktorit ndërkombëtar nga varrezat masive në afërsi të Zubin Potokut ku ishin groposur 23 intelektualët shqiptarë të masakruar nga Serbia dhe në plan të dytë, i dhanë adutin në dorë Serbisë të vajtojë me lot krokodili para botës se sa të rrezikuar “janë” minoritarët serb, pikërisht në momentet kur Kosova po zhvarroste të vrarit e saj nga Serbia fashiste dhe KFOR-i e BE, u deklaruan për hapjen e Urës kryesore mbi lumin Ibër, që lidhë dy anët e qytetit dhe bashkon shtëpinë e pandashme të minatorëve historik të Mitrovicës.

Prandaj lind pyetja e patejkalueshme, se çfarë mund të ndodhë, po qese vjen një moment, që shteti jep urdhër, njëjtë si për institucionet tjera ilegale të Serbisë, të mbyllet edhe spitali i palicencuar serb që me dekada vepron ilegalisht në Kosovë, a mund të kryhet një mision si ky me zyrtar të tillë që me një refuzim kundërligjor të Zlatan Elek-ut, pa menduar për turpin që i bëjnë vendit të vet kthehen pa asnjë përpjekje dhe në mënyrën më dështake.

Hetues jo vetëm të dështuar por edhe thellësisht të dyshimtë, që quan ujë në mulli të Serbisë, lanë shije shumë të hidhur te të gjithë qytetarët e Kosovës dhe dëshmuan se nuk janë të aftë as për misione të thjeshta, prandaj në kohë dhe afat sa më të shkurtër, organet përkatëse duhet urgjentisht ta sqarojnë për opinion këtë sjellje konspirative, të cilën në ditët e përjetimit më të rëndë njerëzor dhe momentin më goditës shpirtëror, për familjarët e të vrarëve dhe të gjithë shqiptarët, e keqpërdori maksimalisht Serbia për propagandë armiqësore ndaj shqiptarëve dhe shtetit të Kosovës”, ka theksuar ai.

Image
Gani Qarri

Gjithashtu, Qarri ka ngritur pretendime të forta, duke thënë se rasti mund të jetë përdorur për të zhvendosur vëmendjen nga zbulimi i varrezave masive ku u gjetën mbetjet mortore të 23 shqiptarëve të vrarë gjatë luftës.

“Është obligim i drejtorit të Policisë dhe ministrit në detyrë të punëve të brendshme të deklarohen zyrtarisht para opinionit, se si me një figurë konspirative si Rashkoviqi dhe ndonjë apo disa “piunë” të involvuar brenda vet organeve të rendit dhe hetuesisë në Kosovë edhe në raste të ndjeshme si këto, Serbia arriti ta mbulojë gjithë atë masakër të tmerrshme që ka ushtruar ndaj 23 intelektualëve shqiptar, vetëm me një ekspozim skandaloz të disa mavijosjeve misterioze, që hetuesit e Kosovës nuk i sqaruan, edhe pse ndoshta personi Rashkoviq mund të jetë rrahur nga vet serbët.

Nuk duhet harruar fakti se Rashkoviq është një i dyshuar i mundshëm edhe për masakrën në Kalludër të Zubin Potokut, i cili mund të dijë shumë edhe për kriminelët tjerë serb, që kanë marrë pjesë në masakrën e kryer ndaj shqiptarëve, madje ai edhe armët nuk ishte kujdesur, që ti fshihte larg nga shtëpia as vendi i masakrimit të shqiptarëve, eshtrat e të cilëve u gjetën mbi 27 vite pas lufte në varrezat masive afër Zubin Potok-ut, mbi të cilat Rashkoviç me “shokë” mund të kenë shkelur e kaluar mijëra herë, me këmbë dhe jo vetëm

Realisht siç dihet tanimë nga të gjithë, vitin e kaluar Kosova është renditur në vendin e parë në Evropë dhe të tretin në botë për rend dhe ligj, akt që dëshmon se vendi ynë edhe pse shtet i ri, është mjaft serioz dhe qëndron pakrahasimisht më mirë se vendet fqinje dhe ato në rajon, si dhe ka një institucion me besueshmërinë më të lartë tek të gjithë qytetarët e Kosovës, që është Policia e vendit tonë e cila në përbërjen e vet ka mekanizma që kontrollojnë punën e saj dhe instrumente që garantojnë veprimet dhe sjelljet brenda normave të lejuara, duke filluar nga pjesëtarët e thjeshtë të policisë deri te zyrtarët më të lartë shtetëror.

Kështu që rasti i Nenad Rashkoviqit, sipas mendimit tim, mund të jetë një orkestrim perfid i mirëinskenuar pa veprimet fizike të policisë së Kosovës dhe një akt i mirëpërgatitur me kujdes e në atë formë e mënyrë konspirative nga organet e specializuara të BIA-s serbe, i përzgjedhur qëllimisht, enkas në ditët kur po zhvarroseshin eshtrat e shqiptarëve të vrarë, për të tërhequr vëmendjen e opinionit vendor dhe faktorit ndërkombëtar nga varreza masive me 23 intelektualët e masakruar shqiptar nga Serbia fashiste mu në atë pjesë të vendit tonë”, ka vlerësuar Qarri.

Më tej, ai ka shtuar se rasti Rashkoviq i ka krijuar Serbisë mundësinë që të zbehë efektin e krimeve të kryera ndaj shqiptarëve dhe të ndërtojë një narrativë propagandistike në mediat serbe.

Me mundësinë, që asaj ia afroi një individ apo grup konspirativ agjenturor brenda sistemit tonë të sigurisë, arriti jo vetëm pjesërisht ta mjegullojë dhe zbeh efektin e vërtetë të krimeve barbare dhe gjenocidit të shtetit okupues serb, të ushtruar sistematikisht ndaj shqiptarëve të pambrojtur të Kosovës, eshtrat e të cilëve vazhdojnë të zbulohen nëpër varrezat masive gjithandej edhe mbi 27 vite, pas përfundimit të luftës në vendin tonë.

Dhe nga rasti individual i Rashkoviqit, propaganda serbe mundi ta bëjë “mizën buall”, megjithëse Inspektorati Policor i Kosovës u angazhua menjëherë e madje edhe para se të vërtetohet vepra që u ngarkohet në mënyrë zyrtare, u suspenduan paraprakisht nga puna të dy policët e apostrofuar, në vend se të suspendoheshin dhe të viheshin në bankën e drejtësisë hetuesit e dështuar që nuk e intervistuan Rashkoviqin dhe e lanë të krijojë filma Serbia fashiste me te, kundër vendit tonë.

Duke kuptuar peshën reale të ngjarjes së dhembshme të varrezave masive ku u gjetën eshtrat e 23 intelektualëve shqiptarë të vrarë nga Serbia, unë nuk dua ta besojë se edhe në këto momente kaq të ndjeshme e tragjike, ka polic shtetëror të Kosovës, që do ta bënte një vepër të tillë, si shkaktimi i mavijosjeve te një minoritar serb, që paraqiteshin natë e ditë në mediat serbe, duke e ditur se çfarë ndikimi negativ do të krijonte në këto ditë të rënda dhe në çfarë përmasash masive, shkaku i këtij rasti të dyshimtë konspirativ, do të tërhiqej vëmendja e faktorit të huaj, nga fatkeqësitë reale të shkaktuara nga Serbia, mbi shqiptarët e pambrojtur me të cilat, familjarët po torturohen edhe gati tri dekada pas lufte.

Dhe pasi që shteti i Kosovës, shkaku i hetuesve të padenjë, dështoj ta marrë vet në pyetje Rashkoviqin, duhet të kërkojë një hetim të hollësishëm nga ekspert të specializuar ndërkombëtar, që të zbardhet e vërteta dhe të kuptohet çartë se nga kush u shkaktuan ato mavijosje të”satanizuara” në shpinën e ati minoritari serb, që lëvizte pothuajse lirshëm, dhe në vrapimet me karrocë, që i`a dhuronin protagonistët e propagandës së stisur destruktive nuk vërehej gjendje e rënduar nga “dhembjet” edhe në fytyrë gjë që në raste të tilla do të ishte e natyrshme, si dhe ai vet nuk jepte të kuptohej se ndjente dhimbje të përmasave krahasuar me pamjet e skalitura aq trishtueshëm, ndoshta edhe me inteligjencë artificiale-“IA”, përkundër skenave të hiperbolizuara që shfaqeshin me aq pompozitet në media dhe televizionet propagandistike serbe”, ka cekur ai.

Tutje, Qarri ka vlerësuar se Sveçla ka të drejtë kur vlerëson se Vuçiqi po tenton ta zhvendosë vëmendjen nga zbulimi i varrezave masive në Kosovë, ndërsa ka kritikuar institucionet për mënyrën se si është trajtuar rasti.

“Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, z.Xhelal Sveçla, duke folur për rastin Rashkoviq, para shfaqjeve ekstreme të cilat përçojnë në katror propagandën djallëzore të kriminelit Vuçiq dhe përsëritin pa fund, episodet e orkestruara të organeve të specializuara propagandistike të Serbisë fashiste, eksplicit për ekspozim propagandues para faktorit ndërkombëtar, me plot të drejtë tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po tenton të tërheqë vëmendjen nga zbulimi i tri varrezave masive në Kosovë, gjë që edhe është e vërtetë e pamohueshme, të cilën besojë se e kuptojnë edhe ndërkombëtarët.

Sveçla ka të drejtë kur thotë se sjelljet e Vuçiqit janë absolutisht të papranueshme, i cili këtë pretendim konspirativ tenton ta shfrytëzojë për tërheqjen e vëmendjes nga të gjeturat e tmerrshme, minimizimin e krimeve dhe gjenocidit shtetëror që Serbia ka kryer ndaj shqiptarëve të pambrojtur në luftën e fundit në Kosovë derisa institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës në Kalludër dhe rrethinë të Zubin Potokut, zbuluan tri varreza masive, gjetën trupat e 23 intelektualëve të masakruar shqiptar nga Serbia okupatore dhe zbuluan 71 armë të gjata” e mijëra fishek dhe pajisje tjera ushtarake serbe.

Por z. Sveçla opinionit vendor duhet t`ia thotë publikisht, se mundësin për këtë aktrim spektakolar, në momentet tona më të dhembshme, Serbisë dhe Vuçiqit ia krijuan shqiptarët dhe vet zyrtarët e dështuar e të paaftë që ka në vartësi ministria e tij.

Dhe ajo që mjerisht dhembë shumë dhe ende nuk po arrin të mënjanohet me sukses as të shërohet plotësisht, mbetet fakti fatkeq se Serbia akoma po arrin ta shfrytëzoi me sukses dështimin tipik të shqiptarëve në vendin e vet, për ta dezinformuar opinionin ndërkombëtar dhe ndikuar për të keq edhe te partnerët e Kosovës!”, ka argumetuar ai.

Në fund, analisti ka hedhur dyshime për mundësinë e përfshirjes së personave të lidhur me Serbinë në institucione të ndryshme të Kosovës, duke kërkuar që institucionet përkatëse t’i hetojnë këto pretendime.

“Prandaj BE-ja dhe shtetet perëndimore, duke parë gafat e shqiptarëve që ndodhin edhe gati tri dekada pas çlirimit nga Serbia, ende edhe 27 vite pas lufte, po hezitojnë ta vendosin Serbinë para përgjegjësisë për të bashkëpunuar plotësisht në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Kjo ngrit dyshime të bazuara, se përveç spiunëve që po zbulohen gjithandej në sferat tjera të jetës, edhe në polici dhe strukturat e sigurisë shtetërore, janë involvuar një numër i caktuar i elementëve të dyshimtë e bashkëpunëtor konspirativ të Serbisë, të cilët urgjentisht duhet ti spastrojë shteti, nga cilido dikaster dhe ent e institucion shtetëror, sidomos në hetuesi, prokurori e drejtësi, organet e rendit dhe sigurinë shtetërore, në mënyrë që Republika e Kosovës, përfundimisht të mund të ecë pandalshëm dhe në mënyrë të papenguar drejt integrimit evropian dhe anëtarësimeve euroatlantike deri te pranimi final si shtet i pavarur me të drejta të plota në OKB”, ka përfunduar Qarri për “Bota sot”.

Duhanaj: Serbia nuk e ka ndryshuar qasjen ndaj Kosovës

Ndërkaq, analisti Leon Duhanaj për “Bota sot” ka thënë se Serbia vazhdon të ndjekë të njëjtën qasje ndaj Kosovës që nga koha e Sllobodan Millosheviqit.

Image
Leon Duhanaj

“Që Serbia nuk e ka ndryshuar qasjen ndaj Kosovës që nga koha e Sllobodan Millosheviqit, këtë tashmë e di e gjithë bota.

Çdo qeveri e pasluftës në Serbi, pavarësisht emrave dhe deklaratave të saj para faktorit ndërkombëtar, në thelb ka ndjekur të njëjtin avaz karshi Kosovës. Me ardhjen e Aleksandar Vuçiqit, kjo politikë ndoshta është bërë edhe më agresive, por qëllimi strategjik ka mbetur i njëjtë: Serbia vazhdon të sillet si shtet armiqësor ndaj Kosovës, me synim zhbërjen e shtetësisë së saj.

Prandaj, as për Kosovën dhe as për komunitetin ndërkombëtar, kjo nuk përbën më ndonjë lajm.

Sikur Serbia të ishte shndërruar në një shtet që merr përgjegjësi për krimet e kryera gjatë luftës, ajo prej kohësh do t’i kishte hapur arkivat dhe do t’i kishte dorëzuar informacionet për varrezat masive dhe vendndodhjen e viktimave të masakrave, si në Kosovë, ashtu edhe në territorin e Serbisë. Por Serbia ende nuk është aty”, ka thënë ai.

Sipas tij, një pjesë e shoqërisë serbe ende nuk është shkëputur nga qasja nacionaliste ndaj Kosovës.

“Arsyeja është se një pjesë e madhe e shoqërisë serbe ende nuk është shkëputur nga qasja nacionaliste ndaj Kosovës. Kjo, për mendimin tim, u pa edhe gjatë protestave studentore në Serbi, ku, krahas kërkesave të brendshme, nuk pamë ndonjë reflektim të thellë shoqëror për krimet e së kaluarës dhe përgjegjësinë e shtetit serb ndaj Kosovës. Përkundrazi, retorika nacionaliste ndaj Kosovës vazhdoi të ishte e pranishme. Pasojat janë tragjike.

Kemi ardhur në një situatë ku hapja dhe zbulimi i varrezave masive të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës rrezikon të mos përbëjë më as lajm të madh ndërkombëtar. Dhe kjo duhet të na alarmojë të gjithëve. Sepse ndërkohë që në Hagë po gjykohen krerët e UÇK-së, në Kosovë vazhdojnë të dalin në dritë varreza masive të viktimave shqiptare, ndërsa për shumë prej këtyre krimeve autorët dhe përgjegjësit vazhdojnë të mos përballen me drejtësinë.

Kjo krijon një kontrast të rëndë moral dhe politik. Nëse ne besojmë në drejtësinë ndërkombëtare, atëherë drejtësia nuk mund të jetë selektive. Nuk mund të ketë një standard për UÇK-në dhe një standard tjetër për strukturat shtetërore serbe që kryen krime, masakra, dëbime dhe më pas transportuan e fshehën trupat e viktimave në varreza masive.

Çdo varrezë masive e zbuluar është një aktakuzë e re ndaj politikës së Serbisë së asaj kohe. Kosova nuk ka luksin të heshtë”, ka theksuar ai.

Në fund, Duhanaj ka bërë thirrje që institucionet e Kosovës ta ndërkombëtarizojnë më fuqishëm çështjen e krimeve të luftës dhe të varrezave masive, duke kërkuar drejtësi për viktimat.

“Qeveria dhe diplomacia e Kosovës duhet ta çojnë çdo rast të tillë në Bruksel, Uashington, Berlin, Paris, Londër, OKB dhe në çdo institucion ndërkombëtar ku mund të dëgjohet zëri i viktimave. Sepse pas çdo varri të hapur nuk qëndron vetëm një statistikë.

Qëndron një njeri i vrarë. Një familje që ka pritur me dekada. Një krim që kërkon autorin. Dhe një shtet që duhet të kërkojë drejtësi. Në fund, kjo duhet ta prekë edhe ndërgjegjen e komunitetit ndërkombëtar, nëse ajo ndërgjegje ende ekziston”, ka përfunduat Duhanaj për “Bota sot”.

Të Ngjashme