Deputetja e Arbëreshë Kryeziu-Hyseni nga Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar publikisht ndaj kreut të Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, lidhur me procesin për zgjedhjen e presidentit.
Në një postim, ajo ka akuzuar LDK-në për mospërputhje në qëndrime, duke kujtuar se kjo parti kishte shpallur të mbyllur mundësinë për marrëveshje politike me VV-në më 20 prill. Sipas saj, megjithatë, përfaqësues të LDK-së janë parë në diskutime me Partia Demokratike e Kosovës dhe Bedri Hamza.
Kryeziu-Hyseni theksoi se VV-ja fillimisht ka mbështetur kandidaturën e Murat Jashari për president, ndërsa si alternativë ka përmendur edhe Glauk Konjufca, për të cilin tha se ka mbështetje të gjerë qytetare.
Ajo shtoi se VV-ja ka ofruar edhe një kompromis të ri, duke propozuar që opozita të sjellë tre kandidatë konsensualë për president, të cilët më pas do të mbështeteshin nga shumica parlamentare. Sipas saj, refuzimi i kësaj oferte tregon mungesë vullneti për zgjidhje dhe synim për zgjedhje të reja.
Postimi i plotë:
I nderum deputet e kryetar i LDK’së Abdixhiku,
Nuk po e di se a do t’përgjigjet Kryeministri jonë Kurti dhe kur.
Periudhën për marrëveshje politike me LVV’në e keni shpallë ju të mbyllur të hënën me 20 prill. Bile deklaruat që nuk do të takoheni më!
Sot para fillimit të seancës patët një bisedë me kryetarin e PDK’së Hamza. Tash me 15 vota që nuk i keni, kërkoni edhe marrëveshje politike edhe president partiak të LDK’së!
3 emra që janë figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar në jetën profesionale dhe shoqërore, dhe jashtë skenës aktuale politike – Kjo ishte oferta e re e LVV’së.
Ne jemi të bindur që pas zgjidhjes ideale, pra Murat Jashari, kandidati më i mirë dhe më i zoti dhe me mbështetje të gjerë popullore për President Republike është Glauk Konjufca, të cilin e votuan 318 mijë qytetarë – krahasojeni këtë me komplet votën e LDK’së, për të cilën votuan 126 mijë qytetarë, pra 2.5 herë më pak!
Mirëpo meqë kjo po refuzohet sepse Glauku na qenka LVV (po çka tjetër?!), ne e ndërmorëm edhe një hap.
Me 3 kandidatë në garë që ju do t’i propozonit bashkë me PDK’në si opozitë, do të ishim dukshëm mbi 80 deputetë si prag për kuorum. Kjo ishte ofertë që opozita ta merr bajrakun për gjetjen e 3 kandidatëve konsensual, me merita e vlera kombëtare, kurse Lëvizja duke ju mbështetur që ta realizoni këtë akt. Pra, ju bashkë propozimin e kandidatëve, ne mbështetjen. Kjo është oferta për zgjidhje, kurse çfardo refuzimi apo qëndrimi ndryshe tregon se nuk doni zgjidhje, por zgjedhje.
Sinqerisht,
Arbëreshë Kryeziu-Hyseni
