ShowBizzz

Nga Zvicra në Kosovë, Belinda Geci sjell një tjetër çasje në estetikë: “Çdo klient është VIP”

Nga kujdesi shëndetësor te estetika, rrugëtimi i Belinda Gecit është ndërtuar mbi një pasion që me kalimin e viteve mori formë profesionale. E vendosur në Zvicër dhe aktive edhe në Kosovë, Geci prej vitesh punon në fushën e kujdesit shëndetësor, ndërsa në vitin 2018 themeloi “Perfections”, duke e kthyer interesimin e hershëm për bukurinë në një angazhim të mirëfilltë profesional. Për të, estetika nuk nënkupton ndryshimin e një personi, por theksimin e veçorive që e bëjnë atë individual.

Zhvillimi profesional ka qenë një pjesë e rëndësishme e këtij rrugëtimi. Geci ka ndjekur trajnime dhe ka përfunduar çertifikime ndërkombëtare në fushën e estetikës, me fokus në zgjerimin e njohurive dhe ndjekjen e praktikave bashkëkohore. Ajo e konsideron edukimin e vazhdueshëm si një komponent të domosdoshëm të profesionit, veçanërisht në një fushë që ndryshon vazhdimisht dhe ku siguria dhe përgjegjësia profesionale kanë rol të rëndësishëm.

Sot, “Perfections” vepron në Zürich dhe në Kosovë, duke ofruar trajtime estetike dhe mjekësore-estetike. Në ekip është edhe Dr. Ahrens, i cili ka më shumë se 20 vjet përvojë si specialist i bukurisë dhe në fushën e mjekësisë estetike, ndërsa në kuadër të “Perfections” është përgjegjës për trajtimet mjekësore-estetike. Sipas Gecit, trajtimet përzgjidhen në bazë të nevojave individuale, me synimin që rezultatet të jenë sa më natyrale dhe të përshtatura për secilin person.

Një prej parimeve mbi të cilat ajo thotë se është ndërtuar studioja është qasja e barabartë ndaj klientëve. “Në Perfections, çdo klient është VIP – jo vetëm ata që njihen si VIP”, shprehet Geci. Për të, statusi apo profesioni nuk duhet të përcaktojë mënyrën e trajtimit të një klienti. Vëmendja, respekti, higjiena, siguria dhe profesionalizmi, sipas saj, duhet të jenë standarde për secilin që zgjedh të marrë një trajtim estetik.

Në një industri ku trendet shpesh ndikojnë në mënyrën se si perceptohet bukuria, Geci mban një qëndrim më të përmbajtur: estetika, sipas saj, duhet të jetë zgjedhje personale dhe jo përpjekje për t’iu përshtatur pritshmërive të të tjerëve. “Bukuria nuk do të thotë perfeksion”, thotë ajo, duke e përmbledhur filozofinë pas emrit “Perfections”: “Nuk do të thotë të jesh perfekt, por të nxjerrësh në pah versionin më të bukur të vetes.”

Të Ngjashme