Ngërçi politik në vend po shkakton të mëdha në ekonomi, duke rrezikuar kështu investimet e huaja, fondet ndërkombëtare si dhe rishikimin e ligjeve që presin për miratim nga Kuvendi.
Mungesa institucioneve funksionale po pengon miratimin e reformave, funksionimin e bordeve dhe aktivitetin e sektorit privat.
Përveç kësaj, vazhdimi i paqëndrueshmërisë politike, ka prekur drejtpërdrejt edhe prodhuesit vendorë, në këtë rast bujqit pasi që mbështetja financiare ose subvencionet nga Ministria e Bujqësisë sipas fermerëve janë vonuar ndjeshëm.
Përfaqësues të komunitetit të biznesit paralajmërojnë se vazhdimi i krizës mund ta thellojë edhe më tej dëmin ekonomik dhe ta lërë Kosovën prapa vendeve të rajonit.
Drejtori ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Kushtrim Ahmeti, thotë për KosovaPress se Kosova tashmë ka humbur këstin e parë nga Plani i Rritjes, ndërsa rrezikon edhe fondet e tjera nëse nuk përmbush me kohë kushtet e përcaktuara nga Bashkimi Evropian.
“Në anën tjetër të rrezikuar vazhdimisht nga humbja e fondeve të planit të rritjes. Trashenë e parë veçse e humbëm dhe prapë jemi në rrezik, për shkak se ne po vonohemi në formimin e institucioneve të cilat janë vitale për vazhdimin tutje, ose plotësimin e kushteve që BE-ja ia ka dhënë Kosovës sa i përket hapjes së derës për t’i marrë këto fonde… Kosova diku i ka takuar mbi 800 milionë euro. Ne veç trashenë e parë nëse s’gabohem ishte mbi 70 milionë euro e humbëm. Ne kemi pasur një komunikim këto kohët e fundit me BE-në në lidhje me këtë çështje, po ata vazhdojnë të hezitojnë për të dhënë detaje se sa mundet me i humb, thonë ne jemi duke i shikuar, dokumentet që i ka dërguar Kosova. Po përmend gjithmonë atë elementin e një lloj thirrje që Kosova duhet ta zgjidhë sa më shpejt krizën politike, në mënyrë që të ecë përpara me miratimin ose reformimin e ligjeve”, shprehet Ahmeti.
Ahmeti potencon se po ashtu, një numër i ligjeve të rëndësishme në Kosovë kanë mbetur në pritje të ndryshimeve, për shkak të mungesës së një qeverie dhe Kuvendi funksional.
Në mesin e tyre është edhe Ligji për Pronën Publike, për ndryshimin e të cilit tashmë ishte nisur puna, por procesi aktualisht ka mbetur pezull.
Ahmeti paralajmëron se vazhdimi i krizës mund të sjellë humbjen automatike të kësteve të tjera.
Ai paralajmëron gjithashtu se Kosova po humb terren në garën rajonale për tërheqjen e investimeve.
“Në mungesë të një qeverie funksionale, dhe të një kuvendi funksional, ekonomia vazhdon të ketë përjetime dhe goditje të vazhdueshme në aspektin negativ. Dhe ato zinxhirorë fatkeqësisht, për shkak se janë një mori ligjesh që duhet të ndryshohen, janë një numër i madh i bordeve, qoftë që ka kohë që janë pa borde, po flasim për këto, qoftë institucione, ndërmarrje publike, institucione që janë vitale për zhvillimin ekonomik në përgjithësi në Kosovë. Po ashtu ka të tjera që veç se ju ka skaduar…Edhe atëherë kur kishim institucione funksionale nuk kemi pasur borde aktive. Kemi Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale, që edhe kur kishte qeveri funksionale nuk ka pasur një bord aktiv. E kemi po ashtu Autoritetin Kombëtar të çmimeve…5:25 ZRE-ja veçse ka mbetur tashmë pa bord, këto ditët e fundit e kemi që ka mbetur pa bord. Dhe normalisht aktualisht e kemi KEK-un, i cili i ka skaduar licenca e operimit dhe prodhimit të energjisë elektrike”, ka thënë Ahmeti.
Sipas tij, në një kohë kur vendet e rajonit po garojnë për investime dhe për avancim në procesin evropian, Kosova po mbetet “shumë prapa”.
“Vendet e tjera janë duke luftuar qysh me mbërri më shpejt, qoftë edhe në marrjen e ftesës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, po edhe plotësimin e kushteve për lëvizje përpara. Ne po jemi shumë, shumë mbrapa”, thotë Ahmeti.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, po ashtu paralajmëron se çdo vonesë në zbatimin e reformave të parapara me Planin e Rritjes do t’i kushtojë Kosovës financiarisht dhe në procesin e integrimit.
“Na është bërë e ditur edhe tani së fundi nga ana e Komisionit Evropian se çdo vonesë në të bërit reforma të parapara sipas planit të rritjes, Kosova do të vazhdojë të humbë, për shkak se është e paraparë që gradualisht duke bërë reforma edhe do të merren edhe mjetet e parapara prej planit të rritjes. Kështu që shumën e parë e kemi humbur nga plani i rritjes dhe çdo vonesë tjetër do të shkon duke humbur edhe këstet e tjera dhe Kosova nuk do të arrijë t’i marrë, që fatkeqësisht Kosova, vetëm Bosnja është më keq se sa Kosova, ndërsa vendet e tjera kanë arritur t’i marrin këstet e dyta dhe të treta nga plani i rritjes”, thotë Rafuna.
Derisa bëri thirrje urgjente për funksionalizimin e institucioneve, ai thotë se shqetësuese është edhe mungesa e bordeve në institucione dhe ndërmarrje që kanë rol të rëndësishëm për ekonominë.
“Te bordet është, si të thuash, sa i përket gjithëshmërisë me sektorin privat, padyshim që e lë mbrapa shumë sektorin privat, sepse sektori privat është i varur nga kërkesat për licenca të ndryshme, për pëlqime të ndryshme, për vendime të ndryshme nëpër agjencione ose ndërmarrje të ndryshme ku funksionojnë këto borde. Dhe si të them, ajo bllokada, mungesa e bordit, nuk kanë mundësi me marrë vendim dhe kjo biznesin e lë mbrapa dhe në njëfarë forme biznesi edhe duhet të ikë prej Kosovës për shkak se këtu nuk ka mundësi me kry punë si rezultat i mungesës së lejeve”, nënvizon Rafuna.
Ndërsa, profesori universitar Imer Rusinovci thekson për KosovaPress se vonesat në subvencione, grante dhe masa të tjera mbështetëse ua vështirësojnë fermerëve planifikimin dhe sigurimin e mjeteve të nevojshme për prodhim
Sipas tij, kur institucionet nuk arrijnë të marrin vendimet dhe të zbatojnë politikat në kohën e duhur, pasojat i bartin edhe fermerët, të cilët punojnë dhe investojnë me muaj të tërë për të siguruar prodhimin.
“Shqetësuese vonesa për shpërndarjen e subvencioneve, granteve dhe masave të tjera mbështetëse”
Sipas profesorit Rusinovci, në bujqësi, vonesat institucionale nënkuptojnë humbje të një sezoni, humbje të një investimi dhe dobësim të prodhimit vendor.
“Vonesa në konsolidimin dhe funksionalizimin e institucioneve nuk është vetëm problem administrativ, por ka edhe pasoja të drejtpërdrejta për fermerët dhe ekonominë e vendit. Bujqësia funksionon sipas cikleve të natyrës dhe nuk mund të presë vendimet e vonuara institucionale. Vonesat në subvencione, grante dhe masa të tjera mbështetëse ua vështirësojnë fermerëve planifikimin dhe sigurimin e mjeteve të nevojshme për prodhim. Po aq shqetësuese janë edhe vonesat në vlerësimin dhe kompensimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore. Breshëri në Istog, Skenderaj, Viti, Lipjan e Ferizaj, si dhe vërshimet në Rahovec e komuna të tjera, këtë vit kanë shkaktuar dëme të mëdha për fermerët. Ata kanë nevojë për vlerësim të shpejtë dhe transparent të dëmeve dhe kompensim në kohë, sepse kjo nuk është favor, por mbështetje e domosdoshme për vazhdimin e prodhimit. Prandaj, institucionet duhet të funksionojnë në kohë dhe të sigurojnë subvencionet, masat stimuluese, investimet dhe kompensimin e dëmeve. Në bujqësi, vonesat institucionale nënkuptojnë humbje të një sezoni, humbje të një investimi dhe dobësim të prodhimit vendor”, thotë ai në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.
Ndërkaq, fermeri Valon Vehapi thekson po ashtu për KosovaPress se moskonstituimi i institucioneve po i shkakton probleme të rënda edhe sektorit të bujqësisë.
Ai thotë si bujq janë duke punuar me humbje për shkak të çmimit të ulët të prodhimit bujqësor dhe vonesave të shpërndarjes së subvencioneve.
“Bujqit janë në krizë dhe kanë nevojë për përkrahje”
Fermeri Vehapi thotë se bujqit janë në një krizë shumë të rëndë dhe kanë nevojë për përkrahje.
“Po, si bujq kemi shumë halle e sfida. Është shumë e rëndë kur tërë vitin punon, mundohesh dhe në fund ndahesh me humbje. Jo vetëm që të humbet vullneti për të punuar më, por zbehet edhe vullneti për jetën. Sa i përket punës së këtyre ngërçeve institucionale, nuk e di sa më takon mua, si katunar e bujk, të përzihem në këtë punë. Por një gjë po duket qartë: është si një shtëpi pa zot shtëpie. Me një fjalë, siç i themi ne, një shtëpi pa bereqet e në katrahurë. Sa i përket subvencionimit, mjetet që Ministria i ka ndarë për këtë shtresë, për këtë pjesë kaq bujare dhe fisnike të shoqërisë, duhet të shpërndahen sa më shpejt. Bujqit janë në një krizë shumë të rëndë dhe kanë nevojë për përkrahje tani, jo kur të jetë tepër vonë. Ata që punojnë tokën dhe sigurojnë ushqimin për të gjithë shoqërinë meritojnë më shumë respekt, mbështetje dhe trajtim institucional”, thekson Vehapi në një përgjigje me telefon për KosovaPress.
Ndërkaq, deri në publikimin këtij artikulli, nga Ministria e Bujqësisë, nuk janë përgjigjur për KosoovaPress se a po ndikon ngërçi politik që bujqit ende nuk i kanë marrë subvencionet për bujqësi, ani se ata kanë mbjell, korrë e vjelë shumicën e kulturave bujqësore për këtë vit.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar pas zgjedhje të 7 qershorit, pasi në dy tentimet e deritanishme nuk është arritur të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe të përmbyllet procesi i konstituimit të Legjislaturës së 11-të.
Seanca konstituive po vazhdon të jetë në qendër të përplasjeve mes partive parlamentare, ndërsa dështimi për formimin e institucioneve po e zgjat krizën politike në vend. Kreu i VV-së, Albin Kurti, ka kërkuar kohë për arritjen e një marrëveshjeje politike, në përpjekje për t’i hapur rrugë konstituimit të Kuvendit, formimit të institucioneve të reja dhe zgjedhjen e presidentit apo presidentes. Megjithatë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë vazhduar aksionet politike për të kërkuar mbajtjen e seancës konstituive. VV dhe LDK kanë pasur disa herë takime në përpjekje për të arritur ndonjë marrëveshje për zgjedhjen e një presidenti siç thonë ata konsensual.
