Lajme

Ngjarja e rëndë te 313/ Zbardhet RRËFIMI i policit: Nuredin Dumani më goditi me kovë dhe…

Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e ndodhur më 7 gusht 2026 në ambientet e sektorit “C” në paraburgimin nr. 313 në Tiranë, ku vrasësi me pagesë, Nuredin Dumani, ka goditur me kovë uji dhe grusht punonjësin e Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve, Rexhep Sinaj.

Sipas dëshmisë së efektivit të policisë, Rexhep Sinaj, paraditen e 7 gushtit, ai po hynte me shërbim në sektorin “C” të katit të dytë, ku është planizuar me punë nga Drejtoria e Mbrojtjes së Dëshmitarëve.

“…në duar po mbaja një qese me ushqime dhe, teksa po ngjisja shkallët drejt katit të dytë, në korridor ka dalë Nuredin Dumani dhe më ka goditur me një kovë uji, duke më lagur të gjithin. Në këtë moment më kanë rënë nga duart edhe ushqimet. Ndërsa Dumani më ka qëlluar edhe me grusht, duke më çarë në pjesën e hundës…” – ka dëshmuar efektivi i policisë, Rexhep Sinaj.

Mësohet se, pas ngjarjes, Sinaj i është nënshtruar edhe një vizite mjekoligjore pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë.

Efektivi i policisë, me origjinë nga Tepelena, ka treguar se gjatë shërbimit, herë pas here Nuredin Dumani e ka ofenduar rëndë nga familja dhe personaliteti, por ai në asnjë rast nuk ia ka kthyer dhe në asnjë rast nuk e ka ofenduar.

Sipas tij, pas goditjes, Nuredin Dumani është larguar drejt dhomës nr. 1, që ndodhet në katin e dytë në sektorin “C”, dhe se e gjithë ngjarja është filmuar nga kamerat e brendshme të sigurisë së burgut dhe është parë nga dy punonjës policie, Edmond Gjiriti dhe Kujtim Balliu.

Mësohet se të dy këta punonjës policie janë marrë në pyetje nga Policia e Burgjeve dhe kanë dëshmuar situatën e ndodhur më 7 gusht 2026, mes të paraburgosurit Dumani dhe efektivit të Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve.

Ndërsa për këtë ngjarje nuk është marrë në pyetje Nuredin Dumani.

Paralelisht me pyetjen e tyre, Policia e Burgjeve ka marrë edhe kamerat e sigurisë, ku dallohet qartë Nuredin Dumani, i veshur vetëm me pantallona të shkurtra dhe i qethur zero, që i gjuan me kovën e ujit punonjësit të policisë, Rexhep Sinaj.

Shkallët dhe ambienti i korridorit lagen nga uji dhe ushqimet shpërndahen në korridor. Pas kësaj shihen edhe dy punonjësit e policisë, si dhe disa të paraburgosur të tjerë, ku, pas qetësimit të situatës, ata largohen dhe dyert e sektorit “C” në katin e dytë mbyllen.

Rasti tregon se Nuredin Dumani, edhe pse i arrestuar prej 29 marsit 2022, ka dalë jashtë çdo rregulli dhe kontrolli institucional, duke mos shfaqur as pendesë për vrasjet e kryera.

Ky nuk është incidenti i vetëm që bashkëpunëtori i SPAK, në disa dosje penale, ka kryer ndaj efektivëve të Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve. Ndërsa më parë Nuredin Dumani ka dhunuar fizikisht edhe të penduarin tjetër të SPAK, Amarildo Nikolli.

Herë pas here, efektivët e Mbrojtjes së Dëshmitarëve përdoren nga të penduarit e SPAK për të blerë cigare dhe artikuj të ndryshëm ushqimorë në marketet afër burgut nr. 313 në Tiranë.

Ndërsa, nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme SPAK vijon ta mbajë Nuredin Dumanin si dëshmitar kryesor në dosjen “Plumbi i artë”, në dosjen penale kundër “Visit të Pojës” dhe anëtarëve të grupit të tij, në dosjen kundër Suel Çelës, në dosjen kundër Behar Bajrit dhe anëtarëve të grupit të tij, në dosjen kundër vëllezërve “Çopja”, në dosjen e trafikut të pistoletave nga Kosova në Shqipëri, në dosjen kundër Bujar Gërmizit dhe anëtarëve të tjerë dhe në një dosje të dy personave që konsiderohen “të fortë” në Fier dhe Durrës.

Ndërkohë, paralelisht me statusin e bashkëpunëtorit të SPAK, Nuredin Dumani është marrë i pandehur dhe rrezikon dënimin me burgim të përjetshëm në dosjen e “Plumbit të artë” dhe dosjen e “të fortit” të Shkodrës, Behar Bajri.

Nuredin Dumani akuzohet zyrtarisht nga SPAK për 8 vrasje, disa tentativa vrasjeje, disa sigurime të kushteve për të kryer vrasje, disa grabitje me dhunë dhe armë dhe grup të strukturuar kriminal.

Incidenti me policin në burg vjen në një kohë kur SPAK është në fazën përfundimtare të dosjes penale “Plumbi i artë”, ku tashmë pritet leximi i pretencës, në të cilën prokuroria do të kërkojë para gjykatës masat e dënimit për secilin nga të pandehurit e procedimit nr. 75. /SYRI.net

Të Ngjashme