Lajme

Nisin punimet në një nga akset më të ngarkuara të Tiranës, devijohet trafiku

Drejtuesit e automjeteve që udhëtojnë nga Sheshi Shqiponja drejt Limuthit do të përballen me ndryshime të përkohshme në qarkullim, për shkak të nisjes së punimeve për përmirësimin e infrastrukturës rrugore.

Ndërhyrjet kanë filluar në segmentin nga Sheshi Shqiponja deri te nënkalimi i Limuthit, ku parashikohet ndërtimi i mbikalimeve për këmbësorët, vendosja e ndriçimit rrugor, gjelbërimi dhe rikonstruksioni i shtresave asfaltike.

Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, projekti synon rritjen e sigurisë, përmirësimin e kushteve të lëvizjes dhe sistemimin e aksit deri në lidhjen me autostradën e re.

Gjatë punimeve, njëra prej korsive do të devijohet përkohësisht, ndërsa automjetet do të vijojnë të qarkullojnë në korsitë e tjera të disponueshme.

Megjithatë, priten ngadalësime të trafikut, veçanërisht gjatë orareve me fluks të lartë.

Autoriteti Rrugor Shqiptar u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, të respektojnë sinjalistikën e përkohshme dhe të ndjekin udhëzimet e punonjësve në terren për të shmangur incidentet dhe vështirësitë në qarkullim.

Të Ngjashme