Mexico City po përballet me një fenomen alarmant të fundosjes së tokës, i cili tashmë është aq i theksuar sa mund të vërehet edhe nga hapësira. Të dhënat më të fundit nga sateliti NISAR, një projekt i përbashkët i NASA dhe ISRO, tregojnë se disa zona të qytetit po ulen me ritme deri në 2 centimetra në muaj, ose 24 centimetra në vit.
Ky metropol gjigant, që shtrihet mbi një ish-liqen dhe mbështetet mbi një akuifer të lashtë (formacion gjeologjik që shërben si “rezervuar natyror uji” nën tokë), furnizon rreth 60% të ujit të pijshëm për mbi 22 milionë banorë.
Megjithatë, shfrytëzimi i tepërt i këtij burimi ka shkaktuar zbrazjen graduale të tij, duke bërë që toka sipër të shembet. Ky fenomen ka kontribuar edhe në një krizë të vazhdueshme të ujit, duke rritur frikën për një “ditë zero”, kur furnizimi me ujë mund të ndërpritet plotësisht.
Fundosja është përkeqësuar nga urbanizimi i shpejtë dhe ndërtimet intensive, të cilat shtojnë presion mbi tokën e pasur me argjilë. Problemi është i njohur që nga vitet 1920, por në dekadat e fundit është përshpejtuar ndjeshëm, duke shkaktuar dëmtime serioze në infrastrukturë: rrugë të çara, ndërtesa të pjerrëta dhe probleme në sistemet e transportit.

Sipas të dhënave të reja të mbledhura gjatë periudhës tetor 2025 – janar 2026, veçanërisht gjatë sezonit të thatë, zonat më të prekura përfshijnë Aeroporti Ndërkombëtar Benito Juárez, një nyje kyçe për transportin ajror në vend.
Një nga shembujt më simbolikë të këtij fenomeni është edhe Monumenti i Engjëllit të Pavarësisë, i cili është detyruar të përshtatet me ndryshimet e terrenit: në bazën e tij janë shtuar 14 shkallë shtesë që nga ndërtimi në vitin 1910, për shkak të fundosjes graduale të tokës.
