Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimin e kryeministrit Albin Kurti për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe.
Në mbledhjen e Qeverisë, Albin Kurti tha se ky vendim vjen si përgjigje ndaj bllokimit të dy linjave të interkoneksionit prej 400 kilovoltësh nga Serbia, të cilat, sipas tij, pamundësojnë tranzitin e energjisë elektrike nga shtetet e tjera drejt Kosovës.
Ai ka theksuar se këto linja nuk janë të nevojshme për importimin e energjisë nga Serbia, por për mundësimin e qarkullimit të lirë të energjisë elektrike nga vendet e tjera.
Kurti: Bllokimi i dy linjave të interkoneksionit nga Serbia pamundëson tranzitin e energjisë nga shtetet e tjera
Bllokimi i linjave nga ana e Serbisë nuk na pengon sepse duam të blejmë energji nga Serbia, mirëpo e pamundëson shfrytëzimin e kësaj infrastrukture kritike për të sjellë energjinë tranzit nga shtetet tjera. Pra dy linjat të interkonjeksionit 400 kilovolshe të cilat i ka bllokuar Serbia neve nuk na duhen të hapura në mënyrë që të importojmë prej saj, por, në mënyrë që ato të shfrytëzohen për tranzit, për qarkullimin e lirë të energjisë elektrike, e cila me bllokimin e Serbisë e ka fituar një mur në vend të telave të shpërndarjes. E si rezultat i këtij bllokimi të Serbisë përgjatë viteve ka pasur ditë kur mbingarkesa në linjat me shtetet tjera, veçanërisht me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut kanë shkaktuar rritje marramendëse çmimesh, saqë me 14 dhe 20 janar të këtij viti ishte pamundësuar sigurimi i energjisë së mjaftueshme, duke e detyruar KOSTT-in të aplikojë reduktime në furnizim me energji elektrike. Që nga marrja e detyrës në mandatin e mëhershëm, në mars të vitit 2021, kemi bërë çdo përpjekje që të sigurojmë mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë për të ushtruar presion ndaj Serbisë për t’i liruar linjat. Përfundimisht, në dhjetor të vitit të kaluar, Këshilli i Ministrave i Komunitetit të Energjisë ka vërtetuar shkeljen e traktatit të komunitetit nga Serbia dhe e ka detyruar atë të lirojë linjat më së largu deri më 1 korrik 2026”, tha Kurti.
Ai ka bërë të ditur se në këtë fazë do të përjashtohet furnizuesi i themeluar në bazë të Marrëveshjes së Brukselit për energjinë.
Megjithatë, Kurti ka paralajmëruar se nëse nuk ka reflektim nga autoritetet e Serbisë, Qeveria mund të përshkallëzojë masat, përfshirë edhe mundësinë e prekjes së këtij furnizuesi dhe rishqyrtimin e tërësishëm të zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit për energjinë.
Kurti:Sot po ndërmarrim kundërmasa ligjore për të ndaluar tregtimin e energjisë elektrike me ndërmarrje të regjistruara në Serbi
“Deri më 1 korrik 2026, e tash që po flasim, është 16 nëntor 2026. Pasi as kjo nuk ka ndodhur. Janë bërë 4 muaj e gjysmë që nuk është zbatuar ky vendim i Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë, ne e kemi bërë edhe një përpjekje tjetër, që përmes Bashkimit Evropian të kemi një zgjidhje të kësaj çështjeje. Duke parë që as kjo përpjekje nuk ka sjellur rezultate, ne sot po ndërmarrim kundërmasa ligjore për të ndaluar tregtimin e energjisë elektrike me ndërmarrje të regjistruara në Serbi ose që kanë pronarë me shtetësi të Serbisë. Në këtë fazë, përjashtim do të bëhet për furnizuesin e themeluar në bazë të Marrëveshjes së Brukselit për energji. Megjithatë, Ministria e Ekonomisë obligohet që ta përcjellë situatën dhe, nëse nuk do të ketë reflektim nga ana e autoriteteve të Beogradit zyrtar, në të ardhmen do të konsiderojmë përshkallëzimin e masave, duke përfshirë edhe masa që do të mund të prekin edhe këtë furnizues, si dhe rishqyrtimin e tërësishëm të zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit për energji”, shtoi Kurti.
Ndërkaq, zëvendësministri i Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Fatban Bunjaku, ka paraqitur arsyetimin e propozim-vendimit, duke thënë se pengesat nga Serbia janë të pranishme që nga dhjetori i vitit 2020, kur KOSTT filloi operimin si zonë e veçantë kontrolli.
Sipas tij, operatori serb i sistemit të transmetimit, EMS, vazhdon të pengojë përcaktimin dhe alokimin e kapaciteteve ndërkufitare me Kosovën, duke pamundësuar shfrytëzimin komercial të linjave të interkoneksionit.
Bunjaku: Serbia po bllokon deri në 600 megavat kapacitete të transmetimit të energjisë elektrike që nga viti 2020
“Kjo sfidë është e pranishme që nga dhjetori i vitit 2020, kur KOSTT-i kishte filluar operimin si zonë e veçantë kontrolli. Që nga ajo kohë, Serbia, përmes operatorit të sistemit të transmetimit të saj, EMS, vazhdon të pengojë përcaktimin dhe alokimin e kapaciteteve ndërkufitare me Kosovën, duke pamundësuar shfrytëzimin komercial të interkoneksioneve. Si rezultat, mbeten të pashfrytëzuara kapacitete transmetuese deri në 600 megavat, duke kufizuar tregtinë ndërkufitare të energjisë elektrike dhe duke rritur presionin mbi kapacitetet e importit nga vendet tjera fqinje. Këtë çështje, institucionet publike të Kosovës, përkatësisht KOSTT-i, e kishin adresuar që në shkurt të vitit 2021 pranë Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë. Ankesa e paraqitur nga Kosova u konfirmua si e bazuar nga Këshilli Ministror përmes vendimit 202502MC-ENC të datës 18 dhjetor 2025, me të cilin u konstatua se Serbia kishte shkelur detyrimet që rrjedhin nga ankthi i Komunitetit të Energjisë dhe nenet 6, 10 dhe 11 të traktatit. Për më tepër, përmes këtij vendimi, Këshilli Ministror kishte kërkuar nga Serbia korrigjimin e menjëhershëm të shkeljes, duke paraparë gjithashtu inicimin e procedurës sipas nenit 92 të traktatit, në rast se shkelja nuk korrigjohej deri më 1 korrik 2026”, tha Bunjaku.
Ai ka theksuar se ankesa e Kosovës ishte konfirmuar si e bazuar nga Këshilli Ministror i Komunitetit të Energjisë, përmes vendimit të 18 dhjetorit 2025, ndërsa Serbia nuk i ka ndërmarrë masat korrigjuese brenda afatit të përcaktuar.
Sipas propozim-vendimit, kundërmasat përfshijnë ndalimin e blerjes, shitjes, importit dhe eksportit të energjisë elektrike me ndërmarrjet e identifikuara me origjinë nga Serbia, qoftë drejtpërdrejt, përmes transitit apo rishitjes.
Bunjaku: Serbia nuk i zbatoi masat për lirimin e linjave, propozojmë ndalimin e tregtimit të energjisë me kompanitë serbe
“Serbia nuk i ka ndërmarrë masat e nevojshme korrigjuese dhe pengesat vazhdojnë të jenë të pranishme. Kjo çështje është evidentuar edhe në raportin e Komisionit Evropian për Kosovën të vitit 2026, ku theksohet se mosalokimi i kapaciteteve ndërkufitare ndikon negativisht në sigurinë e furnizimit, konkurrencën dhe çmimet e importit të energjisë elektrike. Në të njëjtin raport, Komisioni Evropian për Serbinë për vitin 2026 evidenton se operatori serb i sistemit të transmetimit, EMS, ende nuk ka alokuar kapacitete për tregtimin e energjisë elektrike me të gjitha interkoneksionet, përfshirë ato me Kosovën. Prandaj, nga sa më lart, duke marrë parasysh situatën e krijuar, bllokimet e vazhdueshme dhe mosndërmarrjen e masave të nevojshme dhe korrigjuese nga Serbia, MINT, në mbështetje të nenit 92, paragrafi 4, dhe nenit 93, paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenit 7, paragrafi 3 të ligjit numër 08/L-021 për tregti me jashtë, si dhe ligjeve dhe rregulloreve të tjera përkatëse, propozon sot miratimin e vendimit për vendosjen e kundërmasave ndaj ndërmarrjeve të identifikuara me origjinë nga Serbia. Këto kundërmasa përfshijnë ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me ndërmarrje të identifikuara me origjinë nga Serbia përkatësisht blerjen, shitjen, importin dhe eksportin e energjisë elektrike, qoftë drejtpërdrejt apo përmes transitit ose rishitjes”, nënvizoi Bunjaku.
