Bota

OBSH-së: Vendet të përgatiten se mund të ketë më shumë raste të hantavirusit

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus ka paralajmëruar shtetet të përgatiten për më shumë raste të hantavirusit pas shpërthimit në bordin e MV Hondius. Ai falënderoi Spanjën për solidaritetin që kishte treguar duke pranuar anijen e goditur dhe duke evakuuar pasagjerët dhe ekuipazhin e saj.

Ghebreyesus u kërkoi autoriteteve të ndjekin këshillat dhe rekomandimet e OBSH-së, të cilat përfshijnë një karantinë 42-ditore dhe monitorim të vazhdueshëm të kontakteve me rrezik të lartë.

“Për momentin, nuk ka asnjë shenjë se po shohim fillimin e një shpërthimi më të madh, por sigurisht që situata mund të ndryshojë dhe, duke pasur parasysh periudhën e gjatë të inkubacionit të virusit, është e mundur që të shohim më shumë raste në javët e ardhshme”, tha ai në një konferencë për shtyp në Madrid të martën.

Anija MV Hondius, e cila po lundronte nga Argjentina për në Kepin e Gjelbër, u gjend në qendër të shpërthimit pasi tre pasagjerë një çift holandez dhe një shtetas gjerman që vdiqën nga virusi. Edhe pse zakonisht përhapet nga brejtësit e egër, hantavirusi mund të transmetohet nga personi në person në raste të rralla të kontaktit të ngushtë.

OBSH-ja deri më tani ka konfirmuar nëntë raste të variantit të Andeve të virusit, midis tyre një grua franceze dhe një shtetase amerikane që rezultoi pozitive pasi u evakuua nga anija.

Ministria spanjolle e shëndetësisë tha të martën se një nga 14 spanjollët e evakuuar nga anija dhe të vendosur në karantinë në një spital ushtarak në Madrid kishte rezultuar pozitiv për hantavirus dhe po shfaqte simptoma.

Kreu i OBSH tha se vendet tani ishin përgjegjëse për qytetarët e tyre pas evakuimit, duke shtuar: se shpreson që ata do të kujdesen për pacientët dhe pasagjerët, duke i ndihmuar ata dhe gjithashtu duke i mbrojtur qytetarët e tyre.

/tiranapost

Të Ngjashme