Nënkryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës (LSV), Aleksandar Olenik, vlerëson se deklarata e ministres Snezhana Paunoviq përbën një përpjekje për normalizimin e spastrimit etnik dhe paralajmëron se mungesa e reagimit të institucioneve dërgon një mesazh të rrezikshëm për opinionin publik.
Deklarata e ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snezhana Paunoviq, se, po të kishte qenë në vend të Slobodan Millosheviqit, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën” në vitin 1998, vazhdon të shkaktojë reagime të ashpra në Serbi.
Lidhja Socialdemokrate e Vojvodinës (LSV) ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të saj dhe reagimin e Prokurorisë, duke vlerësuar se bëhet fjalë për gjuhë urrejtjeje dhe një thirrje të hapur për spastrim etnik.
Nënkryetari i LSV-së dhe avokati Aleksandar Olenik tha për RTK-në se deklarata të tilla përfaqësojnë një përpjekje për të normalizuar idenë e spastrimit etnik dhe rikthejnë retorikën që i parapriu luftërave të viteve nëntëdhjetë.
“Deklarata të tilla gjithmonë fillojnë me fjalë, por përfundojnë me luftë, krime lufte dhe gjenocid. Kjo nuk është teori, por një fakt historik. Partia Socialiste e Serbisë, anëtare e së cilës është edhe ministrja, tashmë ka treguar në Bosnje dhe Hercegovinë se çfarë do të thotë një politikë e tillë. Ata e dinë shumë mirë se çfarë po bëjnë dhe këtë e bëjnë me vetëdije”, tha Olenik.
Sipas tij, është veçanërisht shqetësuese që një mesazh i tillë vjen nga një anëtare e Qeverisë së Serbisë dhe nga një ministri që duhet të mbrojë të drejtat e të gjithë qytetarëve.
Në LSV vlerësojnë se mungesa e shkarkimit të saj do të nënkuptonte se Qeveria e Serbisë po merr përgjegjësi për normalizimin e politikës së spastrimit etnik.
Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se fjalët e ministres nuk përfaqësojnë politikën e tij dhe as atë të Qeverisë së Serbisë, duke i cilësuar ato si “të pamenduara dhe të papërgjegjshme”.
Vetë ministrja, megjithatë, as nuk u kërkoi falje shqiptarëve dhe as nuk e tërhoqi deklaratën për “spastrimin etnik”. Në vend të kësaj, ajo u kërkoi falje presidentit Aleksandar Vuçiq, kryeministrit Gjuro Macut dhe Qeverisë së Serbisë për, siç tha, problemet që u kishte shkaktuar, duke pretenduar se deklarata e saj ishte nxjerrë jashtë kontekstit.
Olenik vlerëson se deklarata duhet parë edhe në kontekstin e zhvillimeve aktuale politike në Serbi dhe mundësisë së mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme. Sipas tij, Partia Socialiste e Serbisë, me këtë retorikë, po përpiqet të mobilizojë elektoratin e saj dhe të pozicionohet si më radikale se Partia Përparimtare Serbe.
“Kjo deklaratë është dhënë me qëllim dhe në mënyrë të planifikuar. Besoj se është koordinuar me drejtuesit e SPS-së për të mobilizuar votuesit e tyre. Në këtë mënyrë, SPS po përpiqet të jetë më radikale se Vuçiqi dhe të rikthejë një pjesë të mbështetjes. Njëkohësisht, kjo tregon se kjo qeveri është thellësisht antievropiane dhe se vlerat evropiane, ashtu si edhe Serbia në Bashkimin Evropian, nuk janë objektivi i saj”, tha Olenik.
Si avokat, Olenik vlerëson se deklarata e ministres nuk është vetëm problem politik, por edhe juridik. Ai kujton se legjislacioni serb sanksionon gjuhën e urrejtjes dhe nxitjen e urrejtjes e të mosdurimit kombëtar, racor dhe fetar, ndërsa konventat ndërkombëtare të ratifikuara nga Serbia ndalojnë justifikimin dhe promovimin e spastrimit etnik.
Megjithatë, ai thotë se nuk pret reagim nga Prokuroria.
“Ky është një shembull klasik i gjuhës së urrejtjes, e cila dënohet sipas ligjeve të Serbisë dhe mund të përbëjë edhe vepër penale. Kjo bie ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Serbisë, të cilat ndalojnë propagandimin dhe justifikimin e spastrimit etnik. Fatkeqësisht, pres që Prokuroria të mbetet e heshtur”, tha Olenik.
Për deklaratën e Paunoviqit, gjatë ditëve të fundit kanë reaguar partitë opozitare dhe organizatat e shoqërisë civile, duke kërkuar shkarkimin e saj dhe shqyrtimin e përgjegjësisë së mundshme penale.
