Lajme

Onkologjia në QKUK: Mbi 450 pacientë trajtohen çdo ditë, listat e pritjes zero

Klinika e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka njoftuar opinionin publik se gjatë çdo dite pune trajton një numër të madh pacientësh, duke ofruar shërbime të vazhdueshme në kimioterapi dhe radioterapi.

Sipas njoftimit, çdo ditë trajtohen mbi 300 pacientë në mënyrë ambulatore me kimioterapi dhe mbi 150 pacientë me rreze, duke arritur në gjithsej mbi 450 pacientë në ditë pune.

Klinika thekson se puna zhvillohet normalisht, me fluks më të madh në orët e mëngjesit, ndërsa gjatë ditës ritmi i shërbimeve mbetet i qëndrueshëm. Po ashtu, numri i lartë i vizitave ndikohet edhe nga prania e familjarëve shoqërues, të cilët në shumë raste janë dy ose më shumë për një pacient.

Në njoftim theksohet gjithashtu se listat e pritjes janë zero si për shërbimin e kimioterapisë ashtu edhe për radioterapinë, duke e cilësuar klinikën si një nga institucionet me performancë të lartë në rajon në këtë fushë.

QKUK shton se synon zgjerimin e shërbimeve edhe në njësitë përbërëse në të ardhmen, varësisht nga mundësitë dhe rritja e kapaciteteve njerëzore, veçanërisht të specialistëve të onkologjisë.

Njoftimi i plotë:

Klinika e Onkologjisë njofton opinionin publik se gjatë çdo dite pune trajton mbi 300 pacientë në formë ambulatore me kimioterapi dhe mbi 150 pacientë me trajtim me rreze (radioterapi), pra gjithsej mbi 450 pacientë çdo ditë pune.
Puna vazhdon normalisht, me një fluks më të lartë në orët e mëngjesit dhe një ritëm të qëndrueshëm gjatë pjesës tjetër të ditës. Gjithashtu, numri i madh i qarkullimit të njerëzve në këtë klinikë ndikohet edhe nga përcjellësit – familjarët e pacientëve, të cilët në shumicën e rasteve janë dy ose më shumë për pacient, gjë që ka ndikuar në situatat e paraqitura disa herë në disa media.
Listat e pritjes janë zero, si në shërbimin e kimioterapisë ashtu edhe në atë të radioterapisë, duke e bërë klinikën një nga të paktat në rajon me këto performanca pozitive dhe me shërbim cilësor për qytetarët.
Jemi të përkushtuar që ta shtrijmë shërbimin edhe në njësitë përbërëse, në momentin e parë që kjo të mundësohet nga burimet e kufizuara njerëzore që kemi, veçanërisht për sa i përket specialistëve të onkologjisë.

Të Ngjashme