Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se ka ofruar postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Partinë Demokratike të Kosovës, në kuadër të përpjekjeve për të shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Të mërkurën, Ushtruesja e detyrës së Presidentit dhe njëkohësisht kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se e ka ofruar postin e kryetares së Kuvendit, nëse kjo do të ndihmonte shmangien e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Sipas saj, refuzimi i propozimeve dhe ofertave të kryeministrit Albin Kurti drejtuar partive opozitare, PDK-së dhe LDK-së, nuk i shërben interesave të vendit.
“Unë kam ofruar edhe pozitën e kryetares së Kuvendit, sepse çka më duhet pozita e kryetares së Kuvendit nëse dikush e kërkon këtë dhe nëse kjo e parandalon zgjedhjet e jashtëzakonshme. Por mendoj që mungesa dhe refuzimi i të gjitha propozimeve, ofertave që kryeministri Kurti i ka bëre në drejtim të partive opozitare, PDK-së dhe LDK-së, mendoj që nuk i ndihmon vendit. Ne nuk i frikësohemi zgjedhjeve, por mendoj që nuk ka të bëjë kjo me kush është më trim e kush është më i guximshëm, por a janë zgjedhjet në interes të qytetarëve. Ne mendojmë, unë personalisht mendoj, që nuk janë në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Se a do të jem në listën e kandidatëve për deputetë, për këtë vendos kryesia e Vetëvendosjes, por që ligjërisht nuk është e ndaluar”, ka thënë Haxhiu.
Ndërkaq, analistët politikë i kanë komentuar ofertat e Lëvizjes Vetëvendosje për bashkëqeverisje dhe qëndrimet e partive opozitare.
Sipas tyre, refuzimi i këtyre ofertave nga PDK-ja dhe LDK-ja po shihet si një faktor që po e thellon ngërçin politik dhe po e shtyn vendin drejt mundësisë së zgjedhjeve të reja.
vlerësojnë se, nga njëra anë, Lëvizja Vetëvendosje po tenton të gjejë zgjidhje përmes marrëveshjeve politike, ndërsa nga ana tjetër, opozita po qëndron e unifikuar në refuzimin e bashkëpunimit, gjë që sipas tyre po krijon bllokadë institucionale.
Qarri kritikon ashpër opozitën
Fillimisht, për këtë temë për “Bota sot” foli analisti politik, Gani Qarri, i cili tha se Kosova mund të shkojë sërish në zgjedhje dhe se nuk ka ofertë nga drejtuesit e LVV-së që do ta kënaqte opozitën. Se Kosova sërish do të detyrohet të shkojë në zgjedhjeve të reja, pikërisht për shkak të veprimeve agjenturoro-konspirative të opozitës së inkriminuar e cila tash e mbi një vit, po luan në mënyrë shumë dyshuese, me popullin dhe shtetin e Kosovës.
Kjo dëshmohet edhe me faktin se nuk ka ofertë nga kryeministri Kurti, Albulena Haxhiu, Glauk Konjufca apo kushdo qoftë, që i bie “taman” kësaj opozite, dhe mund mund ta largojë nga veprimet e saj anti-shtet e misioni misterioz, për ta rikthyer gjendjen e dikurshme në veri, vazhduar “sallamadinë” e njohur me kryeterroristin Millan Radojçiq dhe rifutur vendin tonë nën domenin e Serbisë, duke përdorur ngërçe politike e bllokada të vazhdueshme institucionale deri te shkatërrimi përfundimtar i shtetit të Kosovës ”, ka potencuar ai.

Gani Qarri
Sipas tij, Haxhiu ka konfirmuar se LDK-së dhe PDK-së u është ofruar posti i kryetarit të Kuvendit, por pa marrëveshje, duke e kthyer vendimmarrjen sërish te qytetarët në zgjedhje.
“Përditë e më tepër, po shihet qartë se opozita me lojën misterioze të përsëritjes së zgjedhjeve, përveç pengimit të shtetit në ecjen normale, dëshiron ta lodh edhe popullin e Kosovës deri në ato përmasa sa që të mos dal më askush nga qytetarët në zgjedhje, përveç anëtarëve të partive politike, duke shpresuar se kjo është mënyra me të cilën do ta rrëzojnë Qeverinë Kurti dhe bashkë me dorën e zgjatur të Serbisë, të ashtuquajturën “listë serbe”, ta rimarrin serish pushtetin, që së fundi përflitet, se është “selam” perfid edhe nga “haga”.
Ndryshe ushtruesja e detyrës së Presidentit, njëkohësisht edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka konfirmuar se LDK-së dhe PDK-së u është ofruar pozita e kreut të Kuvendit, por pa sukses, ndaj kjo çështje duket se do ti kthehet serish popullit të Kosovës, që ai të vendosë se kush do të qeverisë me vendin, derisa opozita e inkriminuar nuk kënaqet me asnjë lloj oferte dhe me veprimet e veta konspirative, po tenton që ta marrë pushtetin me forcë, apo asaj pushteti, ti bëhet dhuratë në tavolinë edhe pa votën e qytetarëve”, ka potencuar ai.
Ndër të tjera, Qarri ka shtuar se opozita po vepron në mënyrë të dyshimtë dhe se kjo bëhet për t’ia hedhur fajin pozitës dhe për të ulur mbështetjen për Vetëvendosjen në zgjedhjet e ardhshme.
“Opozitës nuk është se po i kërkon kush të dalë jashtë standardeve të vendosura politike për ndarjen e pozitave, por me veprimet e saj plotësisht të dyshimta, ajo shihet qartazi se ka vendosur ta gjunjëzoj shtetin e Kosovës, si pjesë e lojës konspirative politike për ta hedhur fajin te pozita, me qëllim që ta qoj vendin sa më shpesh në zgjedhje duke shpresuar se në këtë mënyrë, të paktën do të bie niveli i votave, që në zgjedhjet e radhës, mund të marrë Vetëvendosje”, ka përfunduar Qarri.
Mehmeti: Populli po e sheh kush po e bllokon shtetin
Kurse, edhe opinionisti Gani Mehmeti, ka komentuar ofertat e Lëvizjes Vetëvendosje për LDK-në dhe PDK-në, ku është shprehur se partitë opozitare janë bashkuar kundër bashkëqeverisjes me poziten.
“LDK-së iu ofrua posti i kryetarit të Kuvendit, zëvendëskryeminstri i parë dhe katër ministri – e tha edhe Albin Kurti pas bisedës që e kishte me Lumir Abdixhikun.
Mirëpo, kjo ofertë u kritikua nga LDK-ja e cila kishte synim të merrte postin e kryetarit të Republikës së Kosovës dhe u ndien të prekur, madje nga kjo që iu ishte ofruar.
Pasi nuk e pranuan këtë nga LDK-ja, ajo u shpreh se më nuk do të hyjnë në bisedime me LVV për zgjedhjen e kryetarit të Kosovës, dhe sipas tyre, ata kanë zgjedhur shkuarjen në zgjedhje.
Diçka i njëjtë ishte propozimi edhe për PDK-në, e cila, me të dëgjuar se LDK kishte refuzuar propozimin e LVV-së, kishin marrë vendim në Këshillin e Përgjithshëm të PDK, që të mos hyjnë fare as në bisedime me LVV për çështjen e kryetarit.
Kjo lë të kuptosh se partitë opozitare janë bashkaur për të bojkotuar bashkëqeverisjen me LVV dhe të shkohet në zgjedhje”, ka thënë ai.

Gani Mehmeti
Sipas tij, partitë opozitare po udhëhiqen nga dëshira për pushtet dhe po shpresojnë fitore në zgjedhjet e ardhshme.
Mehmeti ka cilësuar se rezultati do të mbetet pothuajse i njëjtë.
“Ky qëndrim i opozitës i sjell shumë dëme shtetit të Kosovës. Përveç shpenzimeve për çdo gjashtë muaj në zgjedhje në Kosovë, humb edhe në arenën ndërkombëatre me imazhin e keq të saj brendapërbrenda, me çka nuk po mund të mirren vesh vetë partitë politike për të çuar përpara çështjet që kërkohen edhe nga vetë ndërkombëtarët.
Është e vërtetë e madhe se partitë opozitare nuk po mund të dalin nga dëshira e madhe për pushtet. Ato po shpresojnë të fitojnë në zgjedhjet e ardhshme, të paktën aq sa për ta fituar zgjedhjen e pushteteve, por janë në mashtrim e sipër, sepse edhe pas këtyre zgjedhjeve që po vijnë, rezultati mbetet, përafërsisht i njëjtë”, ka vlerësuar ai.
Tutje, Mehmeti ka thënë se opozita po bën lojë politike për t’ia hedhur fajin pozitës dhe për të fituar zgjedhjet, por sipas tij kjo do t’u kushtojë.
Ai ka shtuar se për keqardhje është edhe fakti që opozita nuk po propozon asnjë emër për president nga LDK-ja apo PDK-ja.
“Ana tjetër e opozitës është lojë politike për ta hedhur fajin te pozita, normal, për të fituar zgjedhjet, por do u kushtojë më shtrenjt, sepse populli po e di kush po bojkoton formimin e institucioneve, në këtë rast, zgjedhjen e kryetarit të Kosovës, për çka, në mungesë të zgjedhjes së tij, po bie Kuvendi, po bie Qeveria dhe po shkohet në zgjedhje.
Kjo është për keqardhje dhe shkon në dëm të shtetit të Kosovës.
Lojë e tjetër e opozitës është se nuk e jep asnjë emër për kryetar të Kosovës, as nga LDK-ja e as nga PDK-ja!”, përmbylli Mehmeti për “Bota sot”.
