Katër shqiptarë janë lënë në burg në Itali pasi dyshohet se janë grupi kriminal që fshihet pas disa grabitjeve në Bergamo e Udine.
Hetimi nis me grabitjen e 6 korrikut në agroturizmin Ca’ Fenile në Alzano Lombardo dhe vijon me grabitjen e një banese, të kryer gjatë natës mes 14 dhe 15 korrikut në Lignano Sabbiadoro, në provincën e Udines. Sipas hetuesve, të dyja ngjarjet lidhen me të njëjtin grup kriminal.
Hetimi, i koordinuar nga Prokuroritë e Bergamos dhe Udines, bëri të mundur rindërtimin e lëvizjeve të bandës dhe mbledhjen e provave të forta në ngarkim të tyre. Kthesa në hetim erdhi gjatë aksionit të zhvilluar në agimin e 15 korrikut në një apartament në Orzinuovi, në provincën e Brescias, që konsiderohej një nga bazat logjistike të grupit. Atë natë, efektivët po monitoronin të dyshuarit, pa e ditur se sapo kishin kryer një grabitje tjetër.
Brenda banesës, hetuesit gjetën tufa kartëmonedhash 50 dhe 100 eurosh, pjesërisht të djegura. Sipas gjyqtarit të hetimit, bëhej fjalë për paratë e vjedhura në një vilë në Friuli, pak para se grupi të kapej, ku një sipërmarrës ishte kërcënuar me vdekje, ishte rrahur dhe ishte grabitur për rreth 115 mijë euro para në dorë, një orë Audemars Piguet dhe dy orë të tjera me vlerë, përpara se të mbyllej në një dhomë për ta penguar të kërkonte ndihmë.
NEWS Çfarë ndodhi mes Mirit dhe Selinës?Në urdhrin e tij, gjyqtari thekson se provat e mbledhura nga hetuesit janë “të qarta dhe përputhen me njëra-tjetrën”. Sipas rindërtimit të ngjarjes nga karabinierët, grupi vepronte sipas një skeme të konsoliduar: përdorte targa të vjedhura për të lëvizur pa ndërruar automjetet, radiomarrëse për të komunikuar gjatë grabitjeve dhe vepronte me dhunë ekstreme, duke i kërcënuar viktimat me vdekje dhe duke i mbajtur peng brenda shtëpive të tyre.
Një kontribut vendimtar në hetime erdhi nga dëshmia e vajzës 13-vjeçare të pronarit të agroturizmit Ca’ Fenile, Massimo Rizzi, i cili u sulmua në banesën e tij gjatë grabitjes së 6 korrikut. Gjatë asaj ngjarjeje, autorët grabitën rreth 70 mijë euro para në dorë, përfshirë kursimet e dhjetë viteve punë të familjes, si dhe tri ora Rolex. Vajza dha një përshkrim të detajuar të grupit: pesë burra të veshur me të zeza, që dyshohet se ishin me origjinë shqiptare, njëri mulat dhe një tjetër që dallohej nga një kapele me një qëndisje të bardhë. Pikërisht ky detaj, i kombinuar me punën e imtësishme të hetuesve mbi pamjet e kamerave të sigurisë dhe analizën e automjeteve të përdorura në grabitje, bëri të mundur identifikimin e bazës së grupit në provincën e Brescias.
NEWS Pas lajmit se nuk e lejuan të hyjë në Shqipëri, reagon deputeti shqiptar i MaqedonisëGjatë aksionit në Orzinuovi, disa prej të dyshuarve tentuan të shkatërronin sendet e vjedhura duke i vënë flakën një pjese të kartëmonedhave, ndërsa njëri prej tyre arriti të arratisej duke u hedhur nga ballkoni i godinës. Një efektiv u detyrua të qëllonte disa herë për të frenuar përpjekjen e tyre për arrati. Në burg ndodhen vëllezërit Kreshnik Miftari, 28 vjeç, dhe Valter Miftari, 26 vjeç, si edhe Alfret Jakimi, 29 vjeç, dhe Elvi Baci, 36 vjeç. Jakimi dhe Baci kanë ankimuar masën e sigurisë së arrestit me burg.
NEWS Detaje të reja nga vrasja e 24-vjeçarit shqiptar në Itali, konflikti dyshohet se nisi nga xheloziaI vetmi që arriti të arratisej mban inicialet E.M., 37 vjeç, me precedentë të shumtë penalë, i cili sipas hetuesve është i përfshirë si në grabitjen e Lignano Sabbiadoro, ashtu edhe në atë të Alzano Lombardo. Për të, gjyqtari hetues ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” edhe për episodin e fundit.
Sipas hetuesve, ai menaxhonte gjithashtu një bazë tjetër logjistike në rrugën Corridoni, në Bergamo, ku u sekuestruan rreth 10 mijë euro para në dorë, sende ari, telefona celularë dhe një pasaportë false. Ndaj tij ishte në fuqi edhe një urdhër arresti i lëshuar nga Prokuroria e Perugias për një grabitje të mëparshme.
