Lajme

OVL-UÇK: Ligji për Vlerat e Luftës Çlirimtare të Kosovës është hap me rëndësi, por nuk mjafton

Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së merr në konsideratë njoftimin e sotëm se Ligji për Vlerat e Luftës Çlirimtare të Kosovës pritet të procedohet në Qeveri dhe më pas në Kuvend.

Kjo organizatë vlerëson se asgjë nga këto nuk ndodhi rastësisht.

“Prej muajsh, kemi ngulmuar në këtë kërkesë përmes shkresave zyrtare drejtuar Qeverisë, Kuvendit dhe grupeve parlamentare. Kemi aktivizuar strukturat tona në çdo degë. Kemi dalë me deklarata publike dhe kemi mbajtur prani të vazhdueshme në media. Mesazhi ynë ka qenë i qartë: neglizhenca institucionale për këtë çështje është e papranueshme dhe vonesat e mëtejshme do të provokonin pashmangshmërisht një reagim më të ashpër”, thuhet në reagimin e Organizatës së Veteranëve të Luftës

Më tej theksohet se ky hap ka rëndësi, por nuk mjafton.

“Procesi duhet të ofrojë përmbajtje, jo simbolikë. Në formën e tij përfundimtare, teksti duhet të pasqyrojë plotësisht kërkesat tona të deklaruara, të mbrojë vlerat e Luftës Çlirimtare dhe të garantojë njohje të dinjitetshme për çdo kategori pjesëmarrëse. Çdo përpjekje për t’i zbehur këto parime do të ishte e papranueshme, e padenjë për sakrificën mbi të cilën u ndërtuan liria dhe shtetësia e Kosovës.

Do ta ndjekim këtë proces me vigjilencë të plotë deri në miratimin përfundimtar në Kuvend. Qëndrimi ynë është i prerë: Ajo që u fitua përmes sakrificës nuk mund të zbehet, të shtyhet apo të kthehet në material për pazare politike.

Vlerat e UÇK-së nuk janë çështje komoditeti. Ato janë detyrim i përhershëm institucional, një borxh ndaj çdo luftëtari që iu përgjigj thirrjes kur Kosova përballej me orën e saj vendimtare. Ky borxh nuk vjetërohet, as vendosmëria jonë për ta mbrojtur atë, pa tërheqje dhe pa kompromis”, thuhet në reagimin e Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së.

Të Ngjashme