Personi që ngriti një padi të bujshme ndaj një drejtuesjeje të JPMorgan, për abuzim seksual, i njohur fillimisht si “John Doe”, është identifikuar si Chirayu Rana, 35 vjeç. Ai aktualisht punon si drejtues në një kompani tjetër investimesh.
Rana akuzoi kolegen e tij, Lorna Hajdini, se e kishte droguar dhe kërcënuar nëse nuk pranonte kërkesat e saj seksuale. Por, sipas hetimit të brendshëm të JPMorgan, këto pretendime nuk janë mbështetur nga asnjë provë.
Një nga pikat kyçe që hedh dyshime mbi akuzat është fakti se Hajdini nuk ishte shefja e tij dhe nuk kishte asnjë ndikim mbi pagën apo promovimin e Ranës. Të dy ishin në të njëjtin ekip, por me drejtues të ndryshëm.
Banka zhvilloi një hetim të plotë duke analizuar komunikimet dhe të dhënat e brendshme, por nuk gjeti asnjë provë që të vërtetojë pretendimet. Vetë Rana refuzoi të bashkëpunojë me hetimin. Para se të depozitonte padinë, ai kishte kërkuar një dëmshpërblim prej miliona dollarësh.
Nga ana tjetër, avokatët e Hajdinit i kanë mohuar kategorikisht akuzat, duke theksuar se ajo nuk ka qenë asnjëherë në vendin ku pretendohet se ka ndodhur ngjarja.
Edhe pse padia vazhdon të jetë në fuqi, sistemi ligjor në SHBA lejon publikimin e akuzave të tilla pa pasoja për mediat, edhe nëse ato rezultojnë më vonë të pavërteta. Kjo shpjegon përhapjen e shpejtë të lajmit në fillim.
Aktualisht, nuk ka ende një datë të caktuar për gjyqin, ndërsa Hajdini vijon punën në JPMorgan dhe konsiderohet një nga punonjëset më të suksesshme. Rana nuk ka dhënë asnjë koment publik.
/tiranapost
