Lajme

Pas marrëveshjes për presidentin, LVV dhe LDK sot në konsultime vendimtare

Pas arritjes së marrëveshjes për kandidatin për president të Kosovës, partitë politike sot do të zhvillojnë konsultimet e brendshme para hapave të radhës.

Televizioni publik nga burimet e saj ka kuptuar se Lëvizja Vetëvendosje sot në orët e vona të pasdites do të mbajë takim të grupit parlamentar, ku pritet të diskutohet për hapat e ardhshëm pas dakordimit me Lidhjen Demokratike të Kosovës për kandidatin presidencial, Bekim Sejdiu.

Qëllimi i kësaj përpjekjeje është konstituimi i plotë i institucioneve dhe tejkalimi i ngërçit politik.

Edhe LDK-ja do të zhvillojë sot takime të brendshme. Në orën 14:00 do të mblidhet kryesia e partisë, ndërsa në orën 16:00 grupi parlamentar, për të shqyrtuar marrëveshjen e arritur dhe qëndrimet e mëtejshme.

Pas javësh negociatash, dakordimi për kandidaturën e Bekim Sejdiut shihet si një përpjekje për të hapur rrugën drejt funksionalizimit të institucioneve.

Përveç marrëveshjes së arritur me Lidhjen Demokratike të Kosovës për kandidatin për president, Lëvizja Vetëvendosje kishte bërë përpjekje për të përfshirë edhe partitë e tjera politike në këtë proces.

Mirëpo PDK ka insistuar se do të qëndroj në opozitë, ndërsa AAK ka refuzuar të marrë pjesë në takime pa u plotësuar 6 kushtet e saj.

Të Ngjashme