Lajme

PDK-ja ia “zë” derën Qeverisë, Hoxha: Kurti dhe LVV-ja nuk janë mbi shtetin

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë dalë para objektit të Qeverisë, duke kërkuar nga Albin Kurti që të thërrasë seancën konstituive të Kuvendit dhe t’i hapë rrugë formimit të institucioneve të reja.

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, deklaroi se ajo dhe kolegët e saj ndodhen para Qeverisë për ta kundërshtuar hyrjen e Kurtit në këtë institucion, të cilin, sipas saj, ai po e mban peng.

Hoxha akuzoi Kurtin dhe ministrat e tij se kanë uzurpuar pozitat dhe institucionet, ndërsa kërkoi zhbllokimin e Kuvendit dhe rikthimin e funksionimit kushtetues.

“Kurti duhet ta kuptojë që, në vend se ta sabotojë Kuvendin, ai duhet të vijë aty dhe të krijojë mundësi për ta konstituuar Kuvendin. Ajo është puna e tij parësore që duhet ta bëjë si fitues i zgjedhjeve të fundit: ta propozojë emrin dhe të ecim përpara në themelimin e institucioneve”, tha Hoxha.

PDK-ja përsëriti thirrjen drejtuar Kurtit që ta thërrasë sa më parë seancën konstituive dhe të mundësojë vazhdimin e procesit për formimin e institucioneve të reja.

“Një gjë duhet ta dinë qytetarët dhe të gjithë ata që nuk jetojnë në Kosovë, por kontribuojnë për Kosovën: Albin Kurti nuk mund të jetë mbi shtetin e Kosovës, partia e tij nuk mund të jetë mbi shtetin e Kosovës dhe mbi Kushtetutën e Kosovës”, theksoi Hoxha.

Ajo u bëri thirrje Kurtit dhe deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që të kthehen në Kuvend, për ta nisur legjislaturën e XI dhe për ta rikthyer, siç tha, rendin kushtetues.

Të Ngjashme