Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama është shprehur skeptik se marrëveshja e arritur mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së do t’i hapë rrugë zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës.
Një ditë pasi LVV dhe LDK u dakorduan që profesori universitar dhe ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu, të jetë kandidati i përbashkët për president, Rama tha se mbetet skeptik nëse procesi do të përfundojë me zgjedhjen e kreut të shtetit.
Rama tha se, ndonëse shpreson që institucionet të formohen dhe vendi të ecë përpara, bazuar në zhvillimet e dy viteve të fundit nuk është optimist se do të arrihet një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.
Rama: Uroj që mos të jetë kjo dhe një lojë e Albin Kurtit
“Uroj që mos të jetë kjo dhe një lojë e Albin Kurtit. Dyshoj shumë që ka me u zgjedh presidenti, për fat të keq po them. E ka treguar tash e dy vjet që nuk është i interesuar për me kriju qeveri, pra nuk është dikush që don me qeverisë, është dikush që ka tendenca autokratike po them dhe nuk e shoh, nuk jam optimist. Uroj që po, uroj që të krijojmë qeveri, uroj që të kemi president, po jam shumë pesimist në bazë të rrjedhave tash e gati dy vjet”, ka deklaruar Rama.
I pyetur nëse pajtohet me kandidatin e propozuar për president, Rama tha se e mbështet zgjedhjen e presidentit, nëse partitë politike kanë arritur marrëveshje dhe ekzistojnë votat e nevojshme.
Rama: Nëse partitë janë pajtuar edhe i kanë votat, patjetër që po
“Patjetër që po, kqyri, vendit i duhet presidenti dhe nëse partitë janë pajtuar edhe i kanë votat, patjetër që po. Neve na duhen institucione, na duhet me ec përpara, pra nuk mund të ndalemi”, potencoi Rama.
