Lajme

Perplaset mes policisë dhe protestuesve, reagon sërish Presidenti Begaj

Presidenti Bajram Begaj ka reaguar sërish ndërsa Tirana është përfshirë nga protesta studentore, e cila është shoqëruar me tensione dhe përplasje me policinë, ndërsa institucione shtetërore dhe biznese janë sulmuar.

Në reagimin e tij, Kreu i Shtetit thotë se po ndjek me shqetësim protestat, ndërsa shton se zëri i qytetarëve, veçanërisht të rinjve duhet të dëgjohet, por shton se dhuna nuk mund të jetë kurrë zgjidhje.

Begaj shprehet se Shqipëria iu përket të gjithëve dhe se në këto momente, duhet qetësi, përgjegjshmëri dhe dialog.

Më tej, Presidenti Begaj apelon të gjithë që të shmangen nga aktet e dhunës, ndërsa shton se dallimet nuk duhet të lejojnë përçarje, por t’i nxisin që të gjejnë zgjidhje në interes të të gjithëve.

“Në këto momente, vendi ynë ka nevojë për qetësi, përgjegjshmëri dhe dialog. Ka nevojë që dallimet të mos na përçajnë, por të na nxisin të dëgjojmë njëri-tjetrin dhe të gjejmë zgjidhje në interes të qytetarëve dhe të Shqipërisë.”, shprehet Presidenti.

REAGIMI I PRESIDENTIT BEGAJ:

Të dashur qytetarë,

Shqipëria është atdheu ynë i përbashkët. Ajo është shtëpia e të gjithëve.

Kam ndjekur protestat, kërkesat, por me keqardhje edhe aktet e dhunës së dy ditëve të fundit.

Zëri i çdo qytetari meriton të dëgjohet, veçanërisht zëri i të rinjve, të cilët përfaqësojnë shpresën dhe të ardhmen e vendit tonë. Këtë s’mund ta verë dhe nuk e vë askush në diskutim.

Por dhuna nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë zgjidhja. Ajo dëmton shoqërinë, cenon sigurinë e qytetarëve dhe polarizon bashkëjetesën demokratike.

Në këto momente, vendi ynë ka nevojë për qetësi, përgjegjshmëri dhe dialog. Ka nevojë që dallimet të mos na përçajnë, por të na nxisin të dëgjojmë njëri-tjetrin dhe të gjejmë zgjidhje në interes të qytetarëve dhe të Shqipërisë.

U bëj thirrje të gjithëve të zgjedhin maturinë, të shmangin dhunën dhe të mos lejojnë që tensionet të cenojnë rendin kushtetues dhe stabilitetin e vendit. Inkurajoj forcat e rendit në detyrën e tyre tejet delikate dhe uroj shërim të shpejtë për çdo të lënduar, polic apo protestues.

Me përgjegjësinë dhe tagrat që më jep Kushtetuta, mbetem i hapur për këdo që dëshiron të ketë një hapësirë dialogu dhe mirëkuptimi sikurse i bëj thirrje aktorëve të përfshirë t’i përkushtohen dialogut dhe bashkëpunimit, në të mirë të rinisë, në të mirë të Shqipërisë.

Të Ngjashme