Një person dyshohet se është plagosur me armë zjarri të mërkurën mbrëma në fshatin Miradi e Epërme të Fushë Kosovës.
Sipas Policisë së Kosovës, rreth orës 21:00 është pranuar informacioni për rastin, ndërsa njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka konfirmuar për Tëvë1 se personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa hetimet për zbardhjen e rastit janë duke vazhduar.
“Rreth orës 21:00, Policia ka pranuar informatën për plagosje në fshatin Miradi e Epërme në Fushë Kosovë. Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku sipas informacioneve fillestare një person ka mbetur i lënduar, që dyshohet të jetë plagosur me armë zjarri. Personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë që njësitet policore janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar rrethanat e rastit”, ka deklaruar Pllana për Tëvë1.
Policia nuk ka bërë të ditur identitetin e të lënduarit, ndërsa rrethanat dhe motivet e ngjarjes mbeten ende nën hetim.
