Shëndetësi

“Po si të sillemi, kur fëmijët nuk na dëgjojnë?” Lira Gjika ka 2 fjale per disa nena qe vazhdojne

NGA LIRA GJIKA

“Po si të sillemi, kur fëmijët nuk na dëgjojnë?” pyesin disa nëna dhe vazhdojnë “disa të bërtitura dhe nga një shpullë mbrapa nuk bën asgjë”.

Po, është e vërtetë që nga një shpullë dhe disa të bërtitura fëmija nuk vdes . Po për fat të keq, vdes figura e të rriturit si model i së mirës, i vullnetit, i durimit dhe qytetares.

I rrituri ndaj fëmijës duhet të reagojë vetëm nëpërmjet fjalës dhe butësisë. I rrituri duhet të dënojë veprimin dhe jo fëmijën, siç për fat të keq ndodh zakonisht.

I rrituri fiksohet te fëmija dhe harron të mendojë se si duhet ta menaxhojë situatën, cili duhet të jetë reagimi i tij. Për fat të keq, këtë lloj të sjelluri dhe të menduari, nuk e hasim as në institucionet e edukimit, si kopshte dhe shkolla.

Prindërit , te cilët vijnë nga eksperienca fëmijërie te ashpra e kane te vështirë te sillen ndryshe me fëmijët e tyre. Njeriu nuk i shpëton dot fëmijërisë.

Ajo apo ai, vazhdon ta përsërisë në mënyrë të pavullnetshme sjelljen që kanë ushtruar ndaj saj apo tij, në fëmijëri, madje pa e kuptuar .

Për fat të mirë edhe në Shqipëri, po shtohet numri i nënave dhe baballarëve, që i kanë në qendër të vëmendjes fëmijët e tyre dhe me heroizëm, përballojnë veten, qe fëmijët e tyre të mos i rritin siç janë rritur vete, me të bërtitura, padurim, mallkime dhe të rrahura.

Këta prindër përpiqen tu a mësojnë njerëzoren, ashtu siç dëshirojnë (pasi njerëzorja mësohet, nuk është e lindur), nëpërmjet fjalëve të menduara e të përzgjedhura nëpërmjet dashurisë dhe jo sipas ngarkesave emocionale dhe padurimit e mërzisë.