Policia e Kosovës ka gjetur 62.55 gramë marihuanë dhe një revole me një karikator e gjashtë fishekë gjatë kontrollit të një banese në rrugën “Presheva”, në Fushë Kosovë.
Sipas raportit të Policisë, rasti ka ndodhur më 13 tetor, rreth orës 23:58, pas një informate të pranuar nga policia.
Gjatë veprimeve në terren, zyrtarët policorë kanë takuar një të dyshuar, shtetas turk, ndërsa gjatë kontrollit të banesës kanë gjetur substancën narkotike të llojit marihuanë, transmeton “Bota sot”.
Ndërkaq, arma e zjarrit, së bashku me karikatorin dhe gjashtë fishekët, është gjetur në dhomën e një të dyshuari tjetër, po ashtu shtetas turk.
Substanca narkotike dhe arma janë sekuestruar, ndërsa me vendim të prokurorit kujdestar janë hapur dy raste të ndara.
Pas intervistimit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
